Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka prezantuar në rrjetet sociale një sërë propozimesh për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke theksuar nevojën për një reformë të thellë që, sipas tij, rrit përfaqësimin dhe besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, duke argumentuar se kjo do të siguronte barazi të votës në të gjithë territorin dhe përfaqësim më të drejtë në Kuvend.
Sipas tij, proporcionalja kombëtare bën që “vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut”, ndërsa deputetët do të mbajnë përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm rajonale.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e listave të hapura, duke e konsideruar këtë si mënyrë për t’i dhënë qytetarit të drejtën të zgjedhë vetë përfaqësuesit dhe për të shmangur, siç shprehet, imponimet nga kryetarët e partive.
Një tjetër pikë e propozuar është krijimi i koalicioneve parazgjedhore, që sipas Lapajt do të ndihmonte maksimizimin e votës dhe bashkëpunimin mes forcave politike pa humbur identitetin e tyre.
Në lidhje me administrimin zgjedhor, ai kërkon depolitizim të komisioneve në nivel KZAZ, duke përfshirë profesionistë të lirë si avokatë, noterë dhe psikologë të përzgjedhur me short, për të rritur besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon gjithashtu vendosjen e një pragu prej 4% për hyrjen në Kuvend, duke e konsideruar si një mekanizëm që ruan stabilitetin dhe shmang fragmentarizimin e skajshëm politik.
Sa i takon numrit të deputetëve, ai shprehet kundër uljes së tij nga 140, duke argumentuar se kjo nuk sjell kursim real dhe përkundrazi rrit përqendrimin e pushtetit dhe dobëson garën zgjedhore.
