Kreshnik Çollaku, ish-deputet i PD-së, që për shumë kohë ka qenë këshilltar në Presidencën e Kosovës, tashmë do të ingranohet në politikën e Prishtinës. Në një reagim në ‘Facebook’, ish-presidentja Vjosa Osmani njofton se pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së do të jetë dhe Kreshnik Çollaku.

Ajo ka vlerësuar kontributin e Çollakut në funksion të Kosovës si dhe ka theksuar se ish-deputeti i PD duhet të jetë pjesë e rrugëtimit politik, si përfaqësues i opozitës në Kuvendin e ardhshëm. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë zhvillohen në 7 qershor.

Deklarata

Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës.

Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik.

Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euro-atlantik të shqiptarëve.

Për më shumë se 20 vite si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor.

Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.

Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.

Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.

Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj.

Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA.

Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion, dhe te Kreshnik Çollaku do ta gjejnë një të tillë.
Mirë se vjen Kreshnik e na priftë e mbara në këtë rrugëtim vendimtar! 🇽🇰 ✌️

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb