Një grup miqsh që po kalonin pushimet në një resort në Filipine kanë përjetuar momente paniku pasi zbuluan një kobër mbretërore të fshehur brenda tualetit të dhomës së hotelit. Ngjarja ndodhi në një vendpushim në Salvador Benedicto, brenda Parkut Kombëtar Negros Occidental. Sipas raportimeve të “The Sun”, pesë miqtë po qëndronin në resort kur njëri prej tyre hyri në banjë dhe vuri re diçka të pazakontë në ujin e tualetit.
Fillimisht, ai mendoi se tualeti nuk ishte shkarkuar siç duhet, pasi pa një objekt të errët në ujë. Por, pasi u tërhoq sërish shkarkimi, grupi mbeti i tmerruar kur nga tubat doli koka e një gjarpri. Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur një prej pushuesve ngre me kujdes kapakun e tualetit dhe përpiqet ta nxjerrë zvarranikun me ndihmën e një shkopi të gjatë. Pak sekonda më vonë, gjarpri del jashtë dhe qëndron përballë personit që po filmonte, ndërsa nxirrte gjuhën.
Një nga mysafirët, Dranreb Teodoso, deklaroi për “The Sun” se fillimisht askush nuk e besoi shokun e tyre, i cili doli me panik nga banja duke bërtitur për praninë e gjarprit. Më pas, ai përdori një shkop për të kontrolluar nëse zvarraniku ishte ende gjallë dhe njoftoi menjëherë stafin e hotelit. Në fillim, grupi mendoi se bëhej fjalë për një gjarpër uji të padëmshëm. Por pas publikimit të videos në grupe online të ekspertëve të zvarranikëve, ata u informuan se zvarraniku dyshohet të ishte një kobër mbretërore, një nga gjarpërinjtë helmues më të rrezikshëm në botë.
Autoritetet lokale thanë se raste të ngjashme me kobrat mbretërore janë raportuar edhe më parë në zonën e Salvador Benedicto. Inspektorja Gina Gerangaia deklaroi se po hetohet mundësia që gjarpri të ketë shpëtuar nga mbajtja e paligjshme në robëri. Sipas autoriteteve, temperaturat e larta në zonë mund ta kenë shtyrë zvarranikun të kërkonte vende më të freskëta për t’u fshehur.
Ndërkohë, hetimet për incidentin kanë nisur zyrtarisht.
