Shefi i ekipit Mercedes, Toto Volf, ka theksuar se Kimi Antoneli duhet të luajë “lojën afatgjatë”, duke ruajtur qetësinë në betejën për kampionatin e pilotëve, pasi 19-vjeçari fitoi tri gara radhazi në Çmimet e Mëdha të Kinës, Japonisë dhe Majemit. Pas një sezoni debutues intensiv për Antonelin, pritshmëria fillestare për Botërorin 2026 ishte që piloti më me përvojë, Xhorxh Rasëll, të dominonte ndaj shokut të tij më të ri te Mercedesi. Megjithatë, italiani ka arritur të shndërrojë tri “pole position” në po kaq fitore, duke u bërë piloti më i ri në histori që e shënon këtë arritje.
Volf kishte pranuar më parë se askush në ekip nuk e priste një ecuri kaq të suksesshme nga Antoneli, i cili aktualisht kryeson renditjen me 100 pikë pas katër garave të para, 20 pikë përpara Rasëllit. Edhe pse Mercedesi dëshiron të festojë arritjet e adoleshentit, ekipi mbetet i vetëdijshëm se do të ishte e lehtë për të që të binte nën presionin që vjen kur bëhesh piloti që të gjithë duan ta mposhtin. “Besoj se të gjithë ne që jemi pranë tij duhet të vazhdojmë t’ia përsërisim të njëjtin mesazh: kjo është një maratonë”, deklaron Volf për Antonelin.
“Ai ka një shok ekipi jashtëzakonisht të shpejtë. Rivalët po afrohen në aspektin e performancës dhe ne duam të mendojmë në plan afatgjatë. Shpresojmë që ai të fitojë shumë kampionate gjatë 10 apo 15 viteve të ardhshme. Nuk duam që tani të pengohet nga pritshmëritë e mëdha që do të rëndojnë mbi të, sepse sapo të ketë një garë të dobët, gjë që do të ndodhë, ose të bëjë një gabim, njerëzit do të fillojnë të thonë se ndoshta Kimi nuk është superylli që mendonim”, shprehet shefi i Mercedesit. Më tej, Volf shton: “Duhet ta ruajmë këtë trajektore. Është si një aksion në bursë që vazhdon të rritet. Ai është vetëm 19 vjeç. Në atë moshë, unë mezi arrija të merrja një avion vetëm dhe të gjeja terminalin në aeroport, ndaj ajo që po bën ai është e jashtëzakonshme”.
Volf vlerësoi gjithashtu progresin e madh të Antonelit që nga sezoni i tij i parë në Formula 1, edhe pse asnjë nga fitoret e tij nuk ka qenë e lehtë për shkak të konkurrencës së fortë. Piloti italian është detyruar të rikuperojë pozicione të humbura në disa gara dhe ka kaluar edhe momente delikate, si dalja paksa jashtë piste ndërsa kryesonte Çmimin e Madh të Kinës. “Kur mendoj për atë që thamë vitin e kaluar, zhvillimi i tij ka ndodhur pikërisht ashtu siç e kishim parashikuar”, shpjegon Volf.
“Kishte momente brilante, por edhe situata ku ai duhej të lejohej të bënte gabime. Na u desh ta kalibronim dhe ta udhëzonim vazhdimisht, ndërkohë që përballej me presion. Ai është në gjendje t’i analizojë gjërat pa i mbingarkuar mendërisht. Di ta ndajë situatën: ‘Mirë, bëra një gabim, e lë pas dhe vazhdoj përpara.’ Këtë vit ai e nisi sezonin me më shumë përvojë, ka zhvilluar gara në F1, ka punuar me ekipin dhe e njeh presionin që mediat vendosin mbi të. Megjithatë, ne duhet të tregojmë kujdes, sepse një sukses kaq i madh për një djalë kaq të ri do të thotë që e gjithë Italia do të ketë sytë te ai. Familja dhe ne jemi të parët që përpiqemi ta qetësojmë. Marko (babai i Kimit) është shumë i zoti për ta mbajtur djalin me këmbë në tokë, edhe kur ai po fiton”, përfundon Toto Volf.
