Me titullin në “xhep”, Barcelona argëton tifozët në sfidën përballë Betis, me ekipin e Hansi Flick që triumfoi me rezultatin 3-1. Raphinha ishte lojtari i ndeshjes, me sulmuesin brazilian që realizoi një “dopietë” golash. Në minutën e 28-të, ekzekutoi një goditje dënimi perfekte duke tundur rrjetën. Në fraksionin e dytë, braziliani përfitoi nga një gafë e prapavijës së Betis duke kompletuar “dopietën” e tij personale. Në të 69-tën, Isco konvertoi në gol një penallti të fituar duke ngushtuar shifrat në 2-1. Spektakli nuk kishte fund, pasi në minutën e 74-të Cancelo realizoi edhe golin e tretë duke hipotekuar suksesin e Barçës.

Hansi Flick i dha mundësinë në fund Roberet Lewandowskit të përshëndetej me tifozët pasi kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën blaugrana. Pas 4 vitesh, mes lotësh dhe falënderimeve, Lewandowski largohet nga Barcelona:

“Ishte një mbrëmje shumë emocionuese dhe e vështirë. Kur erdha këtu e dija se Barcelona ishte një klub i madh, por mbështetja ishte e jashtëzakonshme. Këtu jam ndjerë gjithnjë si në shtëpinë time. Ishte një nder të luaja për Barcelonën. Kemi përjetuar momente fantastike së bashku në këto katër vite, momente që do t’i mbajë gjithnjë në zemër”, u shpreh bomberi polak.

Në pritje të Jose Mourinho-s, Real Madrid vijon të fitojë. Këtë herë, madrilenët triumfuan 0-1 në transfertë përballë Sevilla-s. Golin e vetëm të sfidën e realizoi Vinicius jr.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb