Dubai ka inauguruar plazhin e parë privat në botë ekskluzivisht për gra, një projekt i ri që ofron privatësi të plotë, staf vetëm femëror dhe programe speciale noti gjatë natës.
Plazhi ndodhet në zonën Al Mamzar, në verilindje të emiratit, dhe ka nisur të presë vizitorë që nga fillimi i këtij muaji.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se zona është e rrethuar me gardhe për të garantuar privatësi maksimale, ndërsa janë vendosur rregulla të rrepta kundër fotografimit dhe sisteme inteligjente mbikëqyrjeje për sigurinë e grave që frekuentojnë plazhin. Sipas qeverisë së Dubait, projekti është pjesë e një programi më të gjerë për zhvillimin e plazheve publike, me një investim prej rreth 700 milionë eurosh. Ndryshe nga destinacionet e tjera në Emiratet e Bashkuara Arabe që ofrojnë vetëm zona apo ditë të dedikuara për gratë, plazhi i ri në Dubai është i pari që funksionon ekskluzivisht për femra 24 orë në ditë.

Kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej 125 mijë metrash katrorë dhe ka staf tërësisht femëror, përfshirë roje sigurie dhe roje bregdetare. Gjithashtu, është krijuar edhe një hapësirë e posaçme për fëmijët. Bashkia e Dubait parashikon që numri i vizitorëve në zonën Al Mamzar të arrijë në rreth shtatë milionë në vit, pas përfundimit të fazës së dytë të projektit të zhvillimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: