Në Sarandë, një 47-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se po kryente punime për ndërtimin e një objekti pa leje në zonën e plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr. 4.
Gjatë kontrolleve në terren, uniformat blu konstatuan se një sipërfaqe toke ishte sheshuar dhe ishte mbuluar me materiale ndërtimi. Sipas hetimeve, hapësira po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllim përfitimi nga shtetasi Aleksandër Rica, banues në Tiranë.
Në vijim të operacionit, policia sekuestroi edhe 48 shezlongë dhe çadra, të cilat dyshohet se administroheshin pa leje në këtë hapësirë. Për rastin është pezulluar nga detyra edhe Specialisti i Policimit në Zonë, pasi nuk kishte evidentuar paligjshmërinë. Ndaj punonjësit të policisë ka nisur gjithashtu procedimi disiplinor për shkelje të rëndë.
Policia bën me dije se kontrollet në territor do të vijojnë për të parandaluar dhe goditur ndërtimet e paligjshme dhe shkeljet në zonat bregdetare. Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Sarandë/Po kryente punime për ndërtimin e paligjshëm të një objekti, në zonën e plazhit, në lagjen nr.4, arrestohet në flagrancë 47-vjeçari.
Hiqen dhe sekuestrohen 48 shezlongë dhe çadra, nga hapësira e plazhit në këtë zonë, të cilën ky shtetas e administronte pa leje.
Pezullohet nga detyra Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), si dhe nisi procedimi disiplinor ndaj tij, për shkelje të rëndë.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Policisë konstatuan pranë plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr.4, një sipërfaqe toke të sheshuar dhe të mbuluar me materiale ndërtimore.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sipërfaqe toke po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllime përfitimi, nga shtetasi A. R.
Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u pezullua nga detyra Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), shtetasi A. N., si dhe nisi procedimi disiplinor ndaj tij, pasi nuk ka konstatuar këtë paligjshmëri.
Kontrollet dhe verifikimet në territor vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Zbulohen detajet. Do ndërtonte objekt në plazhin pa leje, Rica i arrestuar disa herë
Policia e Shtetit, në një deklaratë për shtyp, njoftoi ditën e djeshme arrestimin e biznesmenit Aleksandër Rica dhe pezullimin e një inspektori zone pasi ishte konstatuar fillimi i punimeve për ndërtimin e një objekti pa leje pranë plazhit “Shqiponja” në lagjen nr.4 në Sarandë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se 56-vjecari i arrestuar, rezulton një person i skeduar disa herë për ndërtime pa leje, madje duke pasur në zotërim një plazh e Beach Bar totalisht të paligjshëm, i cili ka disa vite që funksionon si i tillë. Ai fillimisht është marrë para disa viteve me kontratë ngë Rica por rezulton se prej dy vitesh shfrytëzohej lirisht pa dokumentacion, madje duke pasur edhe ndërtime brenda tij. Për këte shkak, vetëm ditën e djeshme, pas konstatimit të një ndërtimi pa leje aty pranë, janë hequr shezlonget edhe në plazhin e tij.
Në shtator 2021 ai rezulton i arrestuar për ndërtimin e 3 objekteve pa leje në kurorën e gjelbër të Sarandës. Gjatë kontrollit të banesës atëherë i’u gjet edhe municion luftarak. Pas arrestimi ai u lirua nga Gjykata. Për këtë ngjarje u dënua në shkurt 2024 me 2 vjet burg por të pezulluar me kusht që për 4 vite mos të kryejë vepër penale.
Por edhe pse i dënuar me kusht, në qershor 2024, Aleksandër Rica u arrestua pasi po ndërtonte pa leje një objekt në lagjen nr.4, në një zonë të lakmuar bregdetare, ku sot ndodhet plazhi i tij i quajtur “Shqiponja”, i pajisur edhe me Beach Bar, i cili sipas burimeve rezulton pa leje. Edhe pas këtij arrestimi ai u la i lirë nga Gjykata.
Po në qershor 2024, u shpall në kërkim djali i tij Akil Rica për ndërtim pa leje në të njëjtën zonë por më pas u la i lirë.
Në mars 2026, Aleksandër Rica u procedua në gjendje të lirë sërish, pasi u kap duke kryer gërmime pa leje e duke rrethuar një sipërfaqje toke në afërsi të plazhit “Shqiponja”.
Rica gjithashtu rezulton i dënuar nga Gjykata e Sarandës në vitin 2016 për “punësim i paligjshëm” me 400.000 lekë gjobë, ndërsa në vitin 2017 për “fshehje të të ardhurave” me 2 muaj burg.
