Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të re teknologjike, ku beteja për dominimin në qiell po zhvillohet gjithnjë e më shumë përmes dronëve dhe inteligjencës artificiale.

Në qendër të kësaj strategjie qëndron një emër që për rusët është kthyer në një objektiv prioritar: Robert Brovdy, komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase të dronëve dhe arkitekti kryesor i luftës moderne pa pilot të Kievit.

Në një intervistë të fundit për një media ukrainase, Brovdy deklaroi se Rusia po kopjon “me tërbim” sistemet ukrainase të luftës pa pilot, ndërsa paralajmëroi se Moska po investon masivisht në zgjerimin e korpusit të saj të dronëve.

Sipas tij, Rusia kishte në fillim të vitit rreth 86 mijë persona të angazhuar në njësitë e dronëve, por objektivi është që deri në fund të vitit 2026 ky numër të arrijë në 168 mijë specialistë, përfshirë operatorë, teknikë, ekspertë të inteligjencës artificiale dhe telekomunikacionit.

Kush është Robert Brovdy?
50-vjeçari me origjinë nga Uzhhorodi, pranë kufirit me Hungarinë, konsiderohet sot një nga njerëzit më të kërkuar nga Rusia pas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Para luftës, Brovdy ishte biznesmen në sektorin e farërave dhe drithërave, pa asnjë lidhje me ushtrinë. Megjithatë, pas pushtimit rus në vitin 2022, ai vendosi të krijonte një njësi operatorësh dronësh, duke mbledhur hobistë dhe specialistë civilë që kishin eksperiencë me pajisje fluturuese.
Njësia e tij, e quajtur “Skifterët Hungarez”, nisi me dronë civilë DJI Mavic dhe gradualisht u shndërrua në një makineri të sofistikuar lufte pa pilot, që sot konsiderohet një nga armët më efektive të Ukrainës kundër ushtrisë ruse.

Strategjia “videolojë” e luftës
Një nga elementët më të pazakontë të metodës së Brovdy është sistemi i shpërblimeve për njësitë e suksesshme, i frymëzuar nga videolojërat.
Njësitë që arrijnë të godasin objektiva strategjikë shpërblehen financiarisht, duke përdorur fondet për të blerë më shumë dronë dhe pajisje.
Kjo filozofi joortodokse i ka dhënë Ukrainës fleksibilitet të madh në fushën e betejës dhe ka transformuar mënyrën se si përdoren dronët në luftën moderne.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb