Situata është tensionuar në Hagë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit shqiptarë, të mbledhur pranë ambienteve të Gjykatës Speciale, kanë reaguar ashpër ndaj aktgjykimit, ndërsa mes tyre dhe policisë holandeze janë shënuar përplasje.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët holandezë janë përplasur me protestuesit dhe kanë ndërhyrë për t’i larguar nga zona pranë gjykatës. Policia ka përdorur edhe topat e ujit për shpërndarjen e turmës.
Më herët, policia holandeze u kishte kërkuar protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në zonën e përcaktuar për protestën, duke paralajmëruar se në rast mosbindjeje do të përdorej forca.
Tensionet vijnë pas vendimit me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vite burgim për krime lufte.
Situata në zonën përreth Gjykatës Speciale vijon të monitorohet nga forcat e policisë holandeze.
