Debate të shumta janë regjistruar këtë të martë në tregun maqedonas në Korçë, ku tregtarët janë përballur me kontrolle dhe masa ndëshkuese nga Policia Bashkiake, pas skadimit të afatit për largimin e tendave të vendosura në treg.
Inspektorët bashkiakë kanë ushtruar kontrolle në terren, duke vendosur gjoba ndaj tregtarëve që nuk kishin respektuar kërkesat e institucionit vendor. Shumë prej tyre e kanë konsideruar masën të padrejtë dhe të papërballueshme ekonomikisht.
Tregtarët shprehen se prej kohësh janë përballur me ndryshime dhe kërkesa të vazhdueshme nga bashkia për mënyrën e organizimit të tregut.
Sipas tyre, kostot për realizimin e këtyre kërkesave janë shumë të larta, veçanërisht kur përfshijnë projekte të hartuara nga arkitektë.
Për këtë arsye, ata kërkojnë që bashkia të kontribuojë financiarisht nëse synon standardizimin e tregut. Një prej tregtarëve deklaroi se ishte ndëshkuar jo vetëm për tendën, por edhe për nxjerrjen e mallrave jashtë hapësirës së përcaktuar për tregtim. Ajo shtoi se procesverbali iu dorëzua pa marrë sqarimet e nevojshme mbi shkeljen e konstatuar.
Tregtarët paralajmërojnë se masat e fundit rrezikojnë seriozisht vazhdimin e aktivitetit të tyre dhe kërkojnë më shumë mirëkuptim nga pushteti vendor.
