Në Tiranë u zhvillua sot një takim i veçantë mes profesorësh, politikanësh dhe studentësh italianë e shqiptarë, ku në fokus ishte liberalizmi bashkëkohor, roli i arsimit në formësimin e lidershipit të ri europian, si dhe lidhja mes sipërmarrjes, inovacionit dhe integrimit europian.

Aktiviteti u hap me mesazhin se “nuk ka demokraci pa liri, nuk ka sipërmarrje pa liri dhe nuk ka Europë pa liri”, duke vendosur në qendër të diskutimeve sfidat demokratike dhe perspektivën europiane të rajonit.

Takimin e përshëndetën zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, presidenti i Fondacionit Luigi Einaudi dhe ish-senatori italian Andrea Cangini, si dhe dekani i Shkollës së Biznesit MIB Trieste, Andrea Tracogna.

1a7a61f1 9022 42e2 958b Bddd5a400971
1a7a61f1 9022 42e2 958b Bddd5a400971

Folësit kryesorë të aktivitetit ishin Alessandro Sterpa, profesor i asociuar i Institucioneve të së Drejtës Publike në Universitetin e Tuscia-s; Martina Dlabajová, sipërmarrëse, konsulente dhe ish-anëtare e Parlamentit Europian për periudhën 2014–2024 në grupin ALDE/Renew Europe; si dhe Gentian Elezi, profesor rezident në Kolegjin e Europës në Tiranë dhe mbajtës i katedrës Jean Monnet në Universitetin e Tiranës.

Diskutimet u përqendruan te rëndësia e mendimit kritik, edukimit dhe bashkëpunimit rajonal për forcimin e demokracisë dhe përballimin e sfidave të reja europiane.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të “Dialogëve Liberalë”, një nismë ndërkombëtare që synon të bashkojë liderë të rinj, ekspertë dhe institucione nga Italia dhe Europa Juglindore.

Takimi u organizua nga Fondacioni italian Luigi Einaudi, Shkolla MIB e Biznesit në Trieste dhe Observatori i Europës Juglindore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb