Prokuroria e Sarandës në një reagim zyrtar, thekson se oficeri i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi Edmond Ruçi është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’.
Efektivi i Sarandës Edmond Ruçi akuzohet për veprat penale ‘Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.
Ndalimi u krye në vijim të hetimeve, regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Keivin Duro dhe Adriel Zanaj, pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi Adriel Zanaj, u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë. Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.
Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në veprime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim për veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.
