Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Vjenë ku pati takim me Peter Haubner, President i Dytë i Parlamentit të Austrisë, me të cilin ndau vlerësime për miqësinë tradicionale mes dy popujve dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjekmarkaj shprehu mirënjohjen për rolin historik që Austria ka luajtur ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke veçuar kontributin në albanologji, mbështetjen për proceset kombëtare shqiptare dhe pavarësinë, si edhe ndihmën gjatë tranzicionit demokratik dhe mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gjatë bisedës, ai ngriti shqetësimin për situatën politike dhe standardet demokratike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tij, problematikat e evidentuara në raportin e OSBE/ODIHR përfshijnë unifikimin e partisë me shtetin, përdorimin e administratës dhe të burimeve shtetërore në funksion elektoral, si dhe pengesat ligjore e politike të krijuara ndaj opozitës gjatë vitit zgjedhor.

Po ashtu, Gjekmarkaj shprehu shqetësimin për arrestimin dhe izolimin për 333 ditë të liderit të opozitës Sali Berisha, të cilin e cilësoi si një akt që ka krijuar perceptimin e një goditjeje politike ndaj opozitës dhe ka cenuar standardet e garës demokratike. Ai theksoi se çdo perceptim për drejtësi selektive apo pengim të saj përbën një rrezik serioz për shtetin e së drejtës, për demokracinë funksionale dhe për vetë procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sipas Gjekmarkajt, opozita shqiptare “po e thyen dita-ditës murin e izolimit të ndërtuar përmes lobimeve të pandershme dhe përpjekjeve për ta paraqitur në mënyrë të deformuar realitetin politik shqiptar para partnerëve ndërkombëtarë”, ndërsa shtoi se e vërteta mbi gjendjen e demokracisë, pluralizmit dhe shtetit ligjor në Shqipëri nuk mund të fshihet. Në përfundim, Gjekmarkaj u shpreh se “Shqipëria meriton zgjedhje të lira, institucione të pavarura dhe një drejtësi që i shërben qytetarëve e jo pushtetit politik”.

Gjithashtu, ai përcolli përshëndetjet e kryetarit Sali Berisha për z. Haubner dhe vlerësoi miqësinë e gjatë mes PD dhe Partisë Popullore Austriake, një marrëdhënie e ndërtuar ndër vite që nga koha e Wolfgang Schüssel.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb