Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në News24, ka komentuar seancën në Senatin amerikan të Eric Wendt, i propozuar nga presidenti Donald Trump për postin e ambasadorit në Shqipëri.

Mërtiri u ndal te deklaratat e Wendt për SPAK, duke i cilësuar ato si një rikonfirmim të mbështetjes amerikane për institucionet e reja të drejtësisë në vend.

“Politika shqiptare është në luftë me institucionet e reja të drejtësisë. Deklaratat e Wendt i pashë si një rikonfirmim të qëndrimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë”, u shpreh Mërtiri.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë si prioritet forcimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas analistit janë ngritur për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të politikës shqiptare dhe për të garantuar stabilitetin e vendit.

“SHBA kanë këtu prioritet institucionet e reja të drejtësisë që i kanë ngritur për të ndryshuar politikën shqiptare, ndoshta jo vetëm për interes të Shqipërisë, por edhe për të garantuar stabilitetin e saj”, deklaroi ai.

Mërtiri theksoi gjithashtu se vëmendja e SHBA-ve në Shqipëri mbetet e përqendruar te puna e SPAK-ut dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Unë mendoj se puna e SPAK do të vijojë dhe aty është përqendruar vëmendja e SHBA-ve në Shqipëri”, tha analisti.

Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit dhe kapjes së tregjeve nga grupet kriminale do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

“Klima e biznesit do të përmirësohet nga lufta që bëhet kundër kapjes së tregjeve nga krimi dhe korrupsioni”, përfundoi Mërtiri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb