Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 57-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Në protestat e mbajtura më herët, aktivistë dhe qytetarë reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste më 24 korrik, ku prezantoi platformën “Besa”, duke e cilësuar atë si një nismë për një marrëdhënie të re me qytetarët.
Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke argumentuar se qeveria ka humbur besimin e qytetarëve.
Gjatë fjalimeve, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar përmes iniciativave të reja, ndërsa theksuan se protesta nuk ka ndryshuar qëllimin e saj.
Sipas tyre, kërkesa mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklaruan gjithashtu se Rama duhet të ketë përballje me drejtësinë, ndërsa kërkojnë ngritjen e një qeverie tranzitore, e cila, sipas tyre, do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në përfundim të tubimit, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur slogane si “Rama ik”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet”.
Edhe mbrëmjen e sotme, protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë, duke deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore për largimin e kryeministrit nga detyra.
