Rrethi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë vi jon me etapat e tij, teksa dje dyrrotakët pedaluan fort në ndalesën e tretë të kompeticionit, në etapën Elbasan-Vlorë (149 km). Një garë që solli edhe ndryshime të rëndësishme në klasifikim. Kështu, triumfi për etapën e tretë shkoi për zviceranin Guillaume Haldimann. Zvicerani i skuadrës Humard VP regjistroi kohën 3:04:55, duke fituar pas një sprinti emocionues final ndërmjet pesë rivalësh.
Në vend të dytë u klasifikua holandezi Niels Reemeijer (Wielerploeg Groot Amsterdam), ndërsa podiumi u plotësua nga Cristian Raileanu i Rumanisë. Burak Abay (Turqi) dhe Stijn Sutter (B-Close Bal-Enzo Cycling Team) kompletuan pesëshen e parë. Për sa u përket çiklistëve të Shqipërisë, Gabriele De Fabritiis humbi sërish terren me kreun, duke mos shkuar më shumë se vendi i 17-të, me 1 minutë e 32 sekonda vonesë. Duke kaluar në klasifikimin e përgjithshëm individual, përveç fitores në etapën e tretë, Haldimann ka rritur të rrëmbejë edhe fanellën e verdhe të liderit në Rrethin e 83-të Çiklistik të Shqipërisë. Ai kryeson me 6 sekonda avantazh ndaj Niels Reemeijer, ndërsa në vendin e tretë renditet Cristian Raileanu, me 12 sekonda vonesë.
De Fabritiis i Shqipërisë pozicionohet në vendin e 19-të, ndërsa regjistron 1 minutë e 48 sekonda nga lideri i garës. Në rang ekipor, holandezët e Wielerploeg Groot Amsterdam kryesojnë Rrethin Çiklistik me 6 sekonda epërsi nga skuadra sllovake Dukla Banska Bystrica.
Në vendin e tretë klasifikohet Kombëtarja e Turqisë, me 3 minuta e 41 sekonda nga kreu. Ndërkohë, Shqipëria është “gozhduar” në vendin e 14-të, me 27 minuta e 56 sekonda diferencë nga kreu. Sot do të jetë radha e etapës së katërt, me itinerar Vlorë–Llogara–Himarë–Kuç– Vlorë (122.8km). Kjo është edhe gara kyçe për verdiktin final të kompeticionit. Kujtojmë që Rrethi Çiklistik i Shqipërisë prej disa vitesh është pjesë e kalendarit zyrtar të garave të UCI-it.

