Të paktën 24 persona, përfshirë katër zyrtarë policorë, kanë humbur jetën në dy ngjarje të rënda që ndodhën në Honduras.

Sulmi i parë raportohet të ketë ndodhur në një fermë në veri të vendit, ku të paktën 19 punëtorë u vranë me armë zjarri, sipas autoriteteve lokale.

Ndërkohë, një tjetër sulm ndodhi në qytetin bregdetar Omoa, afër kufirit me Guatemalën, ku mbetën të vrarë katër policë.

Sipas zëdhënësit të Policisë Kombëtare, Edgardo Barahona, në këtë incident humbi jetën edhe një civil, shkruan BBC.

Pas dy ngjarjeve tragjike, Policia Kombëtare njoftoi se do të ndërmarrë “ndërhyrje të drejtpërdrejta” në zonat ku ndodhën sulmet.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur motivet e sulmit ndaj punëtorëve në fermën në Trujillo, megjithëse veriu i Hondurasit prej vitesh është përballur me konflikte të vazhdueshme për çështje pronësore dhe tokësore.

Sa i përket sulmit ndaj policëve, bëhet e ditur se ata po udhëtonin nga kryeqyteti Tegucigalpa drejt Omoas në kuadër të një operacioni kundër grupeve kriminale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb