Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë aktiviteteve të lidhura me Festivalin e Kanës, pasi Miss Venezuela Global Andrea del Val publikoi video ku shfaqet me fytyrën e mbuluar me gjak, duke akuzuar stilistin e njohur Giovanni Laguna për agresion fizik.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, modelja dëgjohet duke thënë: “Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna. Kjo është ajo që doja, që të tregoje kush je”, ndërsa më pas tregon kaosin brenda dhomës së hotelit ku ndodhi incidenti.

Sipas raportimeve të mediave latino-amerikane, debati mes të dyve u përshkallëzua në një përleshje fizike. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan britma dhe zhurma përpara se klientët e hotelit të njoftonin policinë franceze.

Autoritetet franceze arrestuan më pas Giovanni Laguna-n, ndërsa në disa pamje të tjera ai shihet duke u larguar i prangosur nga policia.

Andrea del Val mori ndihmë mjekësore pas incidentit dhe raportet tregojnë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Giovanni Laguna ka mohuar se e ka goditur modelen. Në një reagim publik, ai pretendoi se gjatë përplasjes u rrëzua një pajisje ndriçimi që shkaktoi plagosjen e saj. Sipas tij, incidenti ndodhi gjatë një debati verbal në një apartament të marrë me qira në Kanë.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në mediat e Amerikës Latine për shkak të profilit të lartë të stilistit, i cili ka punuar për vite në industrinë e konkurseve të bukurisë dhe është lidhur profesionalisht me Fátima Bosch.

Deri tani, autoritetet franceze nuk kanë publikuar detaje zyrtare mbi akuzat e mundshme apo ecurinë e hetimeve.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: