Aktivisti Visar Ademi, në një lidhje online në “Kjo Javë”, ka komentuar protestat e fundit të studentëve shqiptarë në Shkup, duke thënë se ato nuk lidhen vetëm me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në një provim jurisprudence, por përfaqësojnë një reagim më të gjerë ndaj situatës politike dhe institucionale në vend.
Sipas tij, gjenerata e re e shqiptarëve “nuk e pranon nënshtrimin” dhe nuk frikësohet nga presionet institucionale apo politike. Ai e cilësoi këtë frymë si një reagim kundër asaj që e quajti “supremaci sllavomaqedonase”.
Ademi tha se kjo gjeneratë, ndryshe nga e kaluara, është më e lirë në mendim dhe e formuar në një realitet global, duke mos e parë Maqedoninë vetëm si kufi të mundësive të saj profesionale dhe jetësore.
Ai shtoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë pjesë shtetformuese dhe duhet të kenë të drejta të plota në përdorimin e gjuhës së tyre në institucionet publike, përfshirë arsimin dhe administratën.
“Nuk mund të flasësh për politika inkluzive dhe gjithëpërfshirëse të një shoqërie e cila duhet të ndërtohet mbi parimin e diversitetit, mbi parimin e një koncepti multietnik, sepse kjo do duhet të jetë pasuria më e madhe e jona dhe jo të jetë mallkimi më i madh i këtij shteti. Këtij shteti sllav, unë kësaj më tepër i vjen përshtat emri i Serbisë Jugore sesa që i shkon Maqedonia e Veriut. Por më vjen mirë që ka një gjeneratë të re e cila tani të dyja këto lloj teorish po mundohet t’i luftojë me atë që nuk e njeh dominimin dhe supremacinë sllave si koncept, që e ka patur gjenerata ime përpara.
Nuk besoj se do ketë përshkallëzim. Në qoftë se do të ndodhë përshkallëzimi, ai do jetë budallallëku më i madh që mund të bëjnë institucionet, sepse në 2026-ën asgjë nuk bëhet me dhunë. Sa më tepër që e shtyp diçka, aq më tepër del në sipërfaqe ajo gjëja të cilën e kërkon.
Edhe dhunë për çfarë? Për një të drejtë elementare të gjuhës që do të doni ta përdorni në provimet e jurisprudencës. Fundja, edhe sikur hajde të themi dhe sikur studentët do tërhiqen edhe do thonë që do ta japim provimin në gjuhën maqedonase, ai lloj provimi është përplot i mbushur me gjuhë teknike profesionale të cilat studentët i kanë mësuar krejt në gjuhën amtare. Është e logjikshme që tani, pasi kanë përfunduar katër vite apo pesë vite studime, të gjithë gjuhën profesionale të atij profesioni i ka mësuar në gjuhën amtare, që ta japësh në një gjuhë tjetër? Kjo është e paimagjinueshme.
Edhe vetë maqedonasit duhet ta kuptojnë një gjë, që nuk mundesh. Domethënë, në qoftë se të gjithë studimet i ke patur në një gjuhë me një lloj vokabulari, me një lloj koncepti, dhe tani vetëm për shkak se ti kërkon të kesh supremacisë gjuhësore dhe me këtë qëllim dëshiron të kesh një lloj nënshtrimi ndaj kombit të dytë, ta bësh këtë në gjuhën maqedonase për shkak se nuk e lejon kushtetuta… Tani këto lloj trika dhe këto lloj kurthe gjithmonë na i ka bërë Maqedonia. Sepse edhe njëherë thashë, ne kemi patur parti po s’kemi patur përfaqësim. Ne kemi patur numra po s’kemi patur fuqi ndaj maqedonasve. Ne gjithmonë kemi patur, thashë edhe njëherë, përfaqësim, por asnjëherë s’kemi patur vendimmarrje në këto lloj mekanizmash ku ndërtohet shteti”, shtoi mes të tjerash ai.
