Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte gurthemeli për mënyrën se si do të funksiononte shteti më tej. Ajo çimentoi një të vërtetë që sot nuk mund të relativizohet: shqiptarët janë pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut dhe të drejtat e tyre janë pjesë integrale e vetë arkitekturës kushtetuese të shtetit!
Pas 25 vitesh, misioni mbetet NJË, i thjeshtë dhe i palëkundur: ta zbatojmë Marrëveshjen. Plotësisht, çdo ditë dhe pa kthim pas! Gjuha Shqipe sipas ligjit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat me garanci reale dhe decentralizimi funksional janë detyrime dhe standarde mbi të cilat është ndërtuar paqja e vitit 2001 dhe e ardhmja evropiane.
Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë të drejtave të shqiptarëve dhe pranë një Maqedonie të Veriut sovrane, demokratike dhe evropiane. Këto dy qëndrime nuk përjashtojnë aspak njëri-tjetrin. Përkundrazi, një shtet është më i fortë kur qytetarët e tij janë, dhe ndihen, të përfshirë e të barabartë.
Urime 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit!
(Autori Denion Meidani është ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut)
