Maqedonia e Veriut është një shtet i sajuar dhe tensionet e krijuar së fundmi me mohimin e studentëve shqiptarë të të drejtës për bërë provimin e jurispudencës në gjuhën shqipe, që nxiti dhe protestat e shqiptarëve në Shkup, është frikë për mbetje pa identitet.
Kështu ka deklaruar gazetari i Neës24 Renaldo Salianji i ftuar në “Kjo Javë”.
“VMRO-DPMNE prej vitesh ka tentuar të krijojë mitin e Maqedonisë së lashtë. Kanë ndërtuar projekte si ‘Shkupi antik’ me statuja gipsi për të krijuar një identitet artificial. Maqedonia e sotme merr territore nga Shqipëria, histori nga Greqia, heronj nga Bullgaria dhe elementë gjuhësorë nga Serbia. Duke mos qenë të sigurt në identitetin e tyre, po përpiqen të mbushin boshllëqet historike duke u kundërvënë shqiptarëve. Nga frika se mbeten pa identitet, sulmojnë pikërisht faktorin shqiptar, që është garancia më e madhe për stabilitetin e vetë shtetit maqedonas”, deklaroi Salianji.
Ai theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte vetëm “pika e fundit që derdhi gotën”, pasi sipas tij prej vitesh ka pasur një klimë diskriminuese ndaj shqiptarëve në RMV.
“Tani, në fakt, përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës ishte ajo pika e fundit e ujit që derdhi gotën, se ka pasur një sërë ngjarjesh vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut që kanë cënuar shqiptarët edhe gjuhën shqipe.
Fillimisht, kanë qenë deklaratat e ministres së Arsimit, e cila nuk pranonte të fliste shqip në komunat shqiptare, po kërkonte që gazetarët shqiptarë t’ia bënin pyetjet në maqedonisht.
Së dyti, ka qenë heqja e tabelave në gjuhën shqipe në komunat që janë me shumicë shqiptare, që është e përcaktuar edhe në ligjin për gjuhët, që në ato komuna ku ka më shumë se 20% shqiptarë, edhe tabelat e rrugëve duhet të jenë shqip; ato janë hequr.
Së treti, ka qenë një gjuhë urrejtjeje në rritje e shovinizmit maqedonas kundrejt shqiptarëve, me shtim të parullave të shkruara nëpër mure që “dhoma gazi për shqiptarët” apo “vrasje për shqiptarët””, tha ai.
Salianji paralajmëroi se tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike do të ishte në dëm të vetë Maqedonisë së Veriut.
“Faktori shqiptar është elementi që e mban të qëndrueshme Maqedoninë e Veriut. Nëse do të kishte një konflikt të ri shqiptaro-maqedonas, më të humburit do të ishin vetë maqedonasit, përballë interesave të Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë në rajon”, përfundoi gazetari.
