Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane. Në dokument thuhet se stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane atje e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon. Aktorët keqdashës mund të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë rajonale në dëm të interesave të SHBA-së.

Investimet e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor gjatë disa dekadave të fundit kanë prodhuar rezultate të prekshme, duke përfshirë marrëdhënie të forta dhe pozitive me të gjashtë vendet: Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH), Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë thuhet në dokument.

Shtetet e Bashkuara do të shfrytëzojnë aktivitetet e bashkëpunimit në siguri, duke përfshirë ushtrime të përbashkëta, trajnime dhe programe këshillimi, për të çuar përpara ndarjen e barrës me partnerët dhe aleatët evropianë.

Integrimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO e ka bërë Aleancën më të forte theksohet nder te tjera. Administrata amerikane vazhdon të mbështesë tranzicionin e Forcës shumëetnike të Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale dhe të inkurajojë BiH-në të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Kosova dhe Shqipëria janë anëtarë themelues të Bordit të Paqes dhe do t’i bashkohen BiH-së si kontribues në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, duke theksuar tranzicionin e rajonit nga konsumator sigurie në ofrues. Administrata do të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje me Serbinë në mënyra që çojnë më tej interesat e SHBA-së.

Departamenti do të angazhohet në mënyrë aktive për të përkthyer interesin rajonal në marrëveshje tregtare. Projektet prioritare përfshijnë tubacionin e gazit Jugor të Ndërlidhjes midis Kroacisë dhe BiH; një ndërlidhës gazi të propozuar Serbi-Maqedoni e Veriut; zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri, BiH, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi; përmirësimet e termocentraleve me qymyr të Kosovës dhe projektet e gazifikimit të qymyrit; dhe kabllo shtesë transmetimi që lidhin rrjetet e Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane nenvizohet ne dokumentin e Departametit te Shtetit.

Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb