Imazhi ikonë i Princeshës Diana me “fustanin e hakmarrjes” vazhdon të mbetet një nga momentet më të famshme të modës dhe historisë moderne mbretërore, por tani vëmendja e koleksionistëve është kthyer edhe te automjeti që shfaqet në sfondin e asaj nate historike.
Bëhet fjalë për një Jaguar XJ40 Sovereign, i cili transportoi Princeshën Diana drejt galerisë së artit Serpentine në Londër në qershor të vitit 1994. Makina luksoze, me ngjyrë jeshile të errët, do të dalë së shpejti në ankand, duke tërhequr interes të madh nga koleksionistët e objekteve mbretërore.
Automjeti iu dorëzua Pallatit Kensington në vitin 1994 dhe u përdor ekskluzivisht për transportin personal të princeshës deri në vitin 1997, përpara se të kalonte në pronësi private disa muaj para vdekjes së saj tragjike.
Jaguar-i ruan ende disa elementë të veçantë të përdorimit të tij mbretëror, përfshirë hapjet në çati për flamurin dhe një telefon të integruar Motorola me buton emergjence “sigurie”, tipik për atë periudhë.
Sipas raportimeve të revistës Town & Country, makina pritet të dalë në ankand më 1 qershor, me një vlerësim fillestar që varion nga 50,000 deri në 150,000 paund. Ky automjet u bë pjesë e një prej momenteve më të fotografuara të viteve ’90, kur Diana u shfaq në Galerinë Serpentine e veshur me fustanin e famshëm prej kadifeje të stilistes Christina Stambolian.
Dalja e saj përkoi me një moment të tensionuar publik, pas transmetimit të intervistës së Princit Charles ku ai pranoi pabesinë. Pamja e Dianës atë natë u interpretua gjerësisht si një deklaratë e fuqishme vetëbesimi dhe pavarësie, duke e kthyer “fustanin e hakmarrjes” në një simbol kulturor që mbetet i paharruar edhe sot.
