Depolitizimi i komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta është domosdoshmëri për miradministrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Kjo është bindja e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili e shikon përgjegjësinë edhe tek partitë politike.

“Përbërja partiake e komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë nuk garanton integritet të plotë të administrimit të procesit zgjedhor dhe profesionalizëm. Ndaj është domosdoshmëri që administrimi zgjedhor në nivelin e dytë dhe te tretë të mos jetë vetëm në duart e partive politike. Shpresoj shumë të ndryshojë kjo situatë me qëllim që çdo sipërmarrje e KQZ apo aktorëve të tjerë në kuadër të administrimit të zgjedhjeve të ketë efiçiencë dhe të ketë dobi”, tha ai.

Depolitizimi i këtyre komisioneve lidhet ngushtësisht edhe me trajnimin në kohë të anëtarëve të tyre. Komisionerët bazuar në ligjin aktual propozohen nga partitë politike. Celibashi thekson se veprimtaria e tyre është e karakterizuar nga mungesë e theksuar profesionalizmi.

“Pasi përndryshe kjo çështja e trajnimeve do të jetë dhe karakterizohet nga të njëjtat problematika ku partitë politike ndërrojnë komisionerë sa herë ato dëshirojnë. Në administrimin e procesit zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë janë njerëz që nuk kanë trajnimin e mjaftueshëm dhe kjo logjikisht impakton edhe në standardin e administrimit të procesit zgjedhor.”, shtoi ai. Deklaratat u bënë gjatë një takimi, të organizuar nga KQZ dhe Këshilli i Evropës, ku u diskutua mbi krijimin e një strukturë të posaçme për trajnimin e komisionerëve zgjedhore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: