Drita është kurorëzuar zyrtarisht me titullin e kampionit në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke e mbyllur një edicion të jashtëzakonshëm me dominim, vazhdimësi dhe paraqitje stabile gjatë gjithë kampionatit.

Skuadra gjilanase e siguroi titullin e pestë në histori dhe të dytin radhazi, duke konfirmuar edhe një herë pozitën e saj si njëra ndër skuadrat më të konsoliduara në futbollin kosovar në vitet e fundit. Trofeun e kampionit e dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një ceremoni festive.

Përkundër festës së titullit, Drita u mposht në derbin lokal nga Gjilani me rezultat 2:0, në kuadër të xhiros së parafundit të kampionatit. Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e tretë, kur pas goditjes së Blerind Morinës, topi u devijua në rrjetë nga sulmuesi i Dritës, Blerim Krasniqi. Golin e dytë për Gjilanin e realizoi Robert Rrahmani në minutën e 62-të.

Pas kësaj fitoreje, Gjilani ngjitet në kuotën e 48 pikëve në pozitën e gjashtë, ndërsa Drita mbetet lidere me 66 pikë.

Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj Ferizajt me rezultat 3:2, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë direkte në elitë. Hero i vendasve ishte Kreshnik Uka me dy gola, derisa një tjetër e realizoi Igball Jashari.

Drenica kaloi në epërsi në minutën e 20-të me golin e Ukës, por Ferizaj reagoi në pjesën e dytë me golat e Dior Gërbovcit dhe Gueye Arfangut. Në minutën e 60-të, Jashari barazoi rezultatin në 2:2, gol i konfirmuar pas rishikimit nga VAR-i. Kur pritej përfundimi i takimit, Uka realizoi golin e fitores në minutën e 89-të, duke vulosur suksesin e skuadrës skenderajase.

Drenica mbetet në pozitën e shtatë me 47 pikë, ndërsa Ferizaj, tashmë i rënë nga liga, ka 36 pikë.

Fitore shumë të rëndësishme në garën për shmangien e barazhit realizoi edhe Prishtina, e cila triumfoi në udhëtim ndaj Ballkanit me rezultat 2:1. Kryeqytetasit kaluan në epërsi në minutën e shtatë me golin e Leotrim Kryeziut nga penalltia, ndërsa Ballkani barazoi para përfundimit të pjesës së parë përmes Valentin Serebes. Golin e fitores për Prishtinën e realizoi Rin Ahmeti në minutën e 70-të.

Kjo ishte fitorja e parë e Prishtinës pas tetë xhirosh dhe njëkohësisht një hap shumë i rëndësishëm drejt sigurimit të mbijetesës direkte. Prishtina tashmë renditet në vendin e katërt me 49 pikë, ndërsa Ballkani mbetet i dyti me 58 pikë.

Në “Zahir Pajaziti”, Llapi fitoi ndaj Malishevës me rezultat 3:2, por mbetet ende në pozitën që dërgon në barazh. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Arlind Veliut, ndërsa Llapi reagoi shpejt përmes Arianit Hasanit. Më pas, Arbnor Ramadani realizoi nga penalltia për 2:1, ndërsa Arbnor Aliu shënoi edhe golin e tretë për vendasit para përfundimit të pjesës së parë. Në fund, Mevlan Zeka ngushtoi epërsinë për Malishevën, por pa arritur ta shmangë humbjen.

Llapi mbetet në pozitën e tetë me 46 pikë, ndërsa Malisheva mban vendin e tretë me 56 pikë.

Dukagjini e ka mposhtur Prishtinën e Re, me rezultatin 3:2 në Hajvali. Albion Pllana e kaloi në epërsi Dukagjinin në minutën e 13-të. Nedim Mekiq shënoi dy gola për Prishtinën e Re (35’, 44’), por befasi nuk lejuan Altin Merlaku (65’) dhe Kushtrim Gashi (67’) që realizuan për fitoren e Dukagjinit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: