Rusia ka paralajmëruar një valë të re “sulmesh sistematike” ndaj Kievit, vetëm pak ditë pasi kreu një nga bombardimet më të mëdha ndaj kryeqytetit ukrainas që nga nisja e luftës.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse tha se objektivat e ardhshme do të përfshijnë “qendrat e vendimmarrjes”, postet komanduese dhe uzinat e prodhimit të dronëve në Kiev. Moska u bëri thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj që të largohen “sa më shpejt të jetë e mundur” nga qyteti dhe paralajmëroi qytetarët të shmangin ndërtesat administrative dhe ushtarake.

Ukraina reagoi ashpër ndaj deklaratës, duke e cilësuar atë si “shantazh të paturpshëm” dhe duke kërkuar nga aleatët perëndimorë të shtojnë presionin ndaj Moskës. Sipas Kievit, paralajmërimi rus është një pranim indirekt se sulmet synojnë edhe frikësimin e trupit diplomatik të huaj.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet ruse të fundjavës vranë katër persona dhe plagosën rreth 100 të tjerë në Kiev dhe zona të tjera të vendit.

Moska tha se sulmet ishin hakmarrje për një goditje ukrainase ndaj një konvikti studentor në qytetin Starobilsk, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën 21 persona. Ushtria ukrainase mohoi të ketë shënjestruar civilë dhe tha se kishte goditur një njësi elitare ushtarake ruse në zonën e pushtuar.

Që prej përfundimit të armëpushimit të përkohshëm gjatë paradës së Ditës së Fitores në Moskë, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit. Një nga bombardimet më të rënda vrau 24 persona, mes tyre tre fëmijë, pas goditjes së një pallati banimi.

Në kundërpërgjigje, Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj territorit rus. Zyrtarët rusë thanë se tre persona u vranë në rajonin e Moskës, ndërsa Zelensky i cilësoi operacionet ukrainase si “plotësisht të justifikuara”.

Sulmi më i fundit ndaj Kievit konsiderohet një nga më të mëdhenjtë e luftës. Rusia përdori dhjetëra raketa balistike, raketa lundrimi dhe qindra dronë, ndërsa sipas raportimeve lëshoi edhe një raketë hipersonike “Oreshnik” me kapacitet bërthamor drejt zonës së Bila Tserkvas, rreth 90 kilometra në jug të kryeqytetit.

Nga bombardimet u dëmtuan objekte civile dhe kulturore, përfshirë Muzeun e Çernobilit dhe Muzeun Kombëtar të Artit të Ukrainës. Gjithashtu u shkatërruan një qendër tregtare, tregje dhe disa ndërtesa banimi në lagjen Lukanivka.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi një telefonatë me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, ku kërkoi evakuimin e diplomatëve amerikanë nga Kievi.

Pas bisedës, Rubio deklaroi se sulmet nga të dyja palët janë “një kujtesë se kjo është një luftë e tmerrshme” dhe se SHBA-ja mbetet e gatshme të ndihmojë për t’i dhënë fund konfliktit.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb