Ka diçka thellësisht shqetësuese në mënyrën sesi po sillet administrata tatimore pas hyrjes në fuqi të ligjit të faljes fiskale. Dhe përgjegjësia për këtë nuk mund të mbetet anonime.
Ministri i Financave dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk mund të heshtin apo të sillen sikur nuk shohin çfarë po ndodh në terren, ku bizneset po përballen me një realitet absurd. Shteti miraton një ligj, e boton në Fletoren Zyrtare, por administrata vazhdon të veprojë sikur ai ligj të mos ekzistojë.

Ligji i faljes fiskale nuk lindi brenda një nate. Ai kaloi përmes muajsh diskutimesh, debatesh politike, kundërshtish nga opozita, mbledhjesh në Komisionin e Ekonomisë, analizash teknike, draftimesh dhe më pas votimi në Parlament. Në fund, ligji u botua në Fletoren Zyrtare dhe hyri në fuqi si ligj i Republikës së Shqipërisë. Pra, kemi të bëjmë me një akt zyrtar të shtetit shqiptar, jo me një premtim televiziv apo me një deklaratë politike të momentit.

Por në terren bizneset vazhdojnë të përballen me kontrolle agresive, me bllokime aktiviteti, me shirita në dyer dhe me presion administrativ, sikur ligji të mos ekzistojë fare. Në vend që hyrja në fuqi e ligjit të sillte qartësi, siguri juridike dhe një standard të njëjtë për të gjithë, po krijohet ndjesia e një selektimi të rrezikshëm.

Dhe këtu lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje publike.

Zoti Ministër i Financave,
Si shpjegohet që një ligj i miratuar nga Parlamenti dhe i botuar në Fletoren Zyrtare nuk po gjen zbatim të njëtrajtshëm në terren?
Si mund të justifikohet që administrata tatimore sillet sikur ky ligj të mos ekzistojë, duke vendosur barriera dhe masa ndëshkuese ndaj bizneseve që presin pikërisht zbatimin e tij?

Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve,
A jeni në dijeni të mënyrës sesi po veprojnë strukturat në terren? Apo kjo është pikërisht mënyra sesi janë urdhëruar të zbatohet ligji, duke e bllokuar atë në praktikë?
Për kë u bë ky ligj? Për të gjitha bizneset apo vetëm për disa? Sepse mënyra sesi po veprohet krijon bindjen se në Shqipëri edhe ligji mund të interpretohet sipas dëshirës, sipas interesit apo sipas urdhrave që vijnë nga lart.

Shumë inspektorë në terren justifikohen me frazën klasike “Kemi urdhër.” Por në një shtet ligjor, urdhri nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Sidomos mbi një ligj të miratuar nga Parlamenti dhe që ka hyrë zyrtarisht në fuqi.

Nëse vetë institucionet që e hartuan, e mbështetën dhe e promovuan këtë ligj vazhdojnë ta injorojnë në praktikë, atëherë problemi nuk është më vetëm fiskal, por kemi të bëjmë me një krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve.

Çfarë vlere ka Parlamenti, nëse ligjet e tij nuk zbatohen?
Çfarë vlere ka Fletorja Zyrtare, nëse administrata mund të sillet sikur ajo nuk ekziston?
Dhe çfarë sigurie ka qytetari apo biznesi se nesër një ligj tjetër nuk do të shkelet po nga ata që e votuan?

Biznesi nuk po kërkon favor. Nuk po kërkon privilegj. Po kërkon vetëm zbatimin e një ligji ekzistues. Po kërkon siguri juridike dhe një standard të barabartë për të gjithë. Në të kundërt, i gjithë procesi i diskutimeve, votimeve dhe miratimeve mbetet thjesht një fasadë politike pa asnjë vlerë reale. Dhe kur vetë shteti nuk respekton ligjin që miraton, atëherë nuk dëmtohet vetëm biznesi. Dëmtohet besimi tek shteti, tek institucioni dhe tek vetë drejtësia e sistemit.

Ligji nuk mund të përdoret si propagandë në Parlament dhe të shkelet në terren. Nuk mund t’iu kërkosh qytetarëve të respektojnë shtetin, kur vetë shteti e përdor ligjin vetëm kur i leverdis.

Historia ka treguar se çdo pushtet që vendos urdhrin mbi ligjin, herët a vonë përfundon i rrëzuar nga padrejtësia që vetë ka ndërtuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb