Tragjik ishte fati i një 7-vjeçari dje në fshatin Mengël, si pasojë e një aksidenti, ndërsa pas hekurave ra regjisori i njohur Petri Bozo, i cili drejtonte mjetin që përplasi vogëlushin.

Ngjarja ndodhi në aksin “Elbasan–Librazhd”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet buzë rrugës nacionale.

Sipas burimeve policore, pas ngjarjes Bozo ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi, megjithatë autoritetet dyshojnë se automjeti mund të ketë qenë mbi limitet e lejuara. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë ende.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën, ndërsa vetë ndiqte mësimin pasdite në të njëjtin institucion arsimor.

Dëshmitarë në vendngjarje kanë treguar se, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po lëviznin drejt një dyqani aty pranë. Në ato momente dyshohet se fëmija është shkëputur nga dora e së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo. Ndërkohë, pak kohë më parë, gjatë një interviste për Top News regjisori kishte folur edhe për përvojat e tij në drejtimin e automjetit, duke treguar se gjatë jetës kishte qenë i përfshirë në më shumë se 20 aksidente rrugore, edhe pse kishte theksuar se vetëm njëherë ishte ndier realisht në rrezik për jetën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: