Një eksperiment i dështuar. “Enhanced Games”, ose “Lojërat e Përmirësuara”, eventi ku rreth pesëdhjetë sportistë elitarë synonin të çonin në limit performancën njerëzore, rezultoi një fiasko… të paktën nga këndvështrimi i objektivave të organizatorëve.
Me lejen e qartë për të përdorur substanca që përmirësojnë performancën dhe që janë të ndaluara në garat zyrtare, notarët, atletët dhe peshëngritësit synonin të “thyenin” rekorde botërore… por vetëm një rekord u tejkalua, në pishinën e një kompleksi sportiv të ndërtuar posaçërisht për këtë event, pranë ikonikut “Resorts World Las Vegas”, me kapacitet prej 2.500 spektatorësh. Ishte pikërisht Kristian Gkolomeev ai që notoi nën një rekord botëror, duke fituar garën e 50 metrave stil i lirë me kohën 20.81 sekonda, shtatë të qindtat më shpejt se rekordi që australiani Cameron McEvoy kishte vendosur në mars në këtë disiplinë (20.88). Falë këtij rezultati, ku përdori “kostumin e ndaluar” prej poliuretani, Gkolomeev fitoi 250 mijë dollarë për triumfin, si edhe një bonus prej 1 milion dollarësh për rekordin jozyrtar.
“Nuk është aspak keq”, deklaroi Gkolomeev. “Kjo do ta ndryshojë jetën time për mirë, pa dyshim. Është një ndihmë e madhe për mua dhe familjen time. Do të rikthehem vitin e ardhshëm. Ndoshta mund ta arrij përsëri”, shtoi Glokomeev. Ky rezultat, sigurisht që nuk mund të homologohet, pasi një nga kushtet kryesore është kalimi i kontrollit antidoping. Gjithsesi, rezultati i tij lehtësoi disi organizatorët e këtij “eksperimenti sportiv”, i cili është kritikuar nga pothuajse i gjithë komuniteti sportiv ndërkombëtar.
Si “World Anti-Doping Agency” ashtu edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishin shprehur më parë kundërshtimin e tyre ndaj kësaj gare, e cila promovon përdorimin e substancave të ndaluara për të rritur performancën. Të dy organizmat vunë theksin te rreziqet që sjell përdorimi i këtyre produkteve, ndërsa organizatorët u mbrojtën duke krijuar një Komision Mjekësor me 12 mjekë të specialiteteve të ndryshme, që monitoruan shëndetin e sportistëve.
KERLEY, SHUMË LARG NGA BOLT
Megjithatë, edhe pse 13 sportistë arritën rezultatet e tyre më të mira personale në këto “Lojëra të Përmirësuara”, festa e “suplementimit” përfundoi në fiasko në disa nga garat që kishin tërhequr më shumë vëmendje. Një prej tyre ishte gara e 100 metrave, ku Fred Kerley, kampion bote në vitin 2022 dhe me rekord personal 9.76, fitoi me kohën 9.97 sekonda, shumë larg rekordit botëror të xhamajkanit Usain Bolt (9.58). Ndërkohë, britaniku Reece Prescod përfundoi i pesti me 10.48 sekonda, më shumë se gjysmë sekonde larg rekordit të tij personal.
Në garën e femrave fitoi Tristan Evelyn me kohën 11.25. Notari britanik Ben Proud, fitues i medaljes së argjendtë në 50 metra stil i lirë në Paris 2024, triumfoi në 50 metra flutur me kohën 22.32 sekonda, vetëm 0.05 sekonda larg rekordit botëror të Andrii Govorov. Peshëngritësi Hafthor Bjornsson, i njohur për rolin e “Malit” në serialin “Game of Thrones”, ishte një tjetër sportist pjesëmarrës në këtë event, por nuk arriti të thyente rekordin e tij personal prej 510 kilogramësh në “deadlift”. Megjithatë, ky eksperiment i dështuar nuk duket si i tillë për organizatorët e “Enhanced Games”, të cilët e konsideruan të suksesshëm dhe se do të vazhdojë.
