Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “The Wanted”, duke ekstraduar nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Shqipërisë një 29-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin A. Gj., lindur dhe banues në Mat, i cili u arrestua në Gjermani falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në maj të vitit 2024, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. 29-vjeçari akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ekstradimi u krye nga specialistët e Interpol Tiranës, në vijim të bashkëpunimit me autoritetet gjermane, ndërsa shtetasi A. Gj. tashmë është kthyer në Shqipëri për t’u përballur me procedurat e mëtejshme ligjore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: