Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një vizitë në selinë e Bashkësia Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.

Gjatë vizitës, Kurti u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që simbolizon sakrificën dhe obligon qytetarët për solidaritet, bujari dhe ndihmë ndaj njëri-tjetrit.

Ai theksoi se kjo festë kujton sakrificat e të rënëve për liri, duke përmendur edhe 37 imamë dhe hoxhallarë që, sipas tij, kanë rënë dëshmorë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Vizitën e parë për festën e Kurban Bajramit, si për çdo vit, e bëjmë te Bashkësia Islame e Kosovës për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij këtë festë të sakrificës… Kurban Bajrami është festë që na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të tregojmë solidaritet e bujari për të mirën e përgjithshme”, tha Kurti.

Ai shtoi se sakrifica e të rënëve për liri ka mundësuar, sipas tij, lirinë dhe prosperitetin e sotëm të Kosovës.

Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, e cila shënohet me mesazhe solidariteti dhe ndihme ndaj familjeve në nevojë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb