Me debate është shoqëruar mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Situata u përshkallëzua deri në largimin nga salla të bashkëkryetarit demokrat, Luçiano Boçi, pas një përplasjeje verbale me bashkëkryetarin socialist, Arbjan Mazniku.Debati nisi gjatë diskutimeve në komision, kur Mazniku ndërhyri duke i kërkuar Boçit të përfundonte fjalën, me argumentin se deputetët e opozitës kishin monopolizuar diskutimin dhe nuk po u jepej hapësirë përfaqësuesve të maxhorancës.

Në një moment tensioni, Mazniku i ndërpreu mikrofonin Boçit, veprim që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të deputetit demokrat. Ky i fundit e cilësoi ndërhyrjen si jo etike dhe të papranueshme për funksionimin e komisionit.

“Nuk mund të më hiqet mikrofoni ndërsa jam duke folur. Nuk pranoj ndërprerje të tilla në komision”, u shpreh Boçi gjatë debatit, ndërsa më pas u ngrit dhe u largua nga mbledhja. Nga ana tjetër, Mazniku insistoi se opozita kishte zgjatur diskutimet për orë të tëra pa lejuar përfaqësuesit e maxhorancës të merrnin fjalën.

Pjesë nga debati:

Boçi: Mund ta mbyll se nuk është etike. Jo me ma hequr mua mikrofonin…

Mazniku: Kanë folur nga ana e opozitës, nuk ka fol asnjë nga maxhoranca.

Boçi: Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat. Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim. Unë e kuptoj se fjala pyetje ju axhiton. Ta përfundoj une.

Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori.

Boçi: Nuk bëhet kjo sfidë në këtë formë se jemi edhe live. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush, asnjë deputeti s’mund t’ja ndërpresim edhe ne dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu stop orkestra.

Mazniku: Jepni fjalën.

Boci: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Ça është kjo ndërhyrje.

Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të maxhorancës.

Boçi: Ja mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.

Mazniku: Mos abuzoni me hapësirën që iu është lënë.

Boçi: Mbaje ta gëzosh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: