Profesori Ilirjan Margjeka, drejtues i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit pranë Universiteti Luarasi, ishte i ftuar në episodin e radhës të podcastit “Welcome to Luarasi” me Denisa Kele, ku foli mbi zhvillimet teknologjike dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale në shoqëri dhe tregun e punës.
Gjatë intervistës, Margjeka theksoi rëndësinë e krijimit të një legjislacioni të posaçëm për teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, duke nënvizuar se ndryshimet e shpejta teknologjike kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të kuadrit ligjor.
“Duhet bërë një legjislacion i drejtpërdrejtë i kësaj fushe. Për të gjitha ndryshimet teknologjike që kemi pasur, që kemi dhe që do të kemi duhet përshtatur legjislacioni. Evropa po bën gjënë e duhur dhe është me rëndësi që edhe ne të përgatitemi lidhur me këtë çështje”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin e Universiteti “Luarasi” me London School of Economics, duke e cilësuar si një bashkëpunim të rëndësishëm
“Ky viti i parë ishte shumë më i mirë nga çfarë e prisja. Unë kam pasur një eksperiencë shumë të mirë, ambient shumë pozitiv. Bashkëpunimi me London School of Economics, një bashkëpunim i rëndësishëm, unë vërtet nuk e prisja por ishte vërtet shumë i vlefshëm”, tha ai.
Ndërkohë, pedagogia e brendshme në Universitetin Luarasi, Nadia Elbasani, u ndal te rëndësia që ka teknologjia në çdo profesion dhe domosdoshmëria e aftësive digjitale për të rinjtë.
Sipas saj, Inteligjenca Artificiale ofron mundësi të mëdha zhvillimi, por njëkohësisht sjell edhe sfida dhe rreziqe që kërkojnë kujdes dhe rregullim të qartë institucional.
Ajo shtoi se zhvillimi i teknologjisë duhet të shoqërohet edhe me masa sigurie dhe rregullore të qarta, në mënyrë që Inteligjenca Artificiale të mos kthehet në pengesë për punësimin e të rinjve apo të përdoret për aktivitete kriminale.
“Teknologjia në prek të gjithëve në të gjitha profesionet dhe aftësia digjitale është kthyer në domosdoshmëri. Në një moment apo tjetër do e përdorësh. Me zhvillim e IA, kërkojmë që studentë që shkojnë në teknologji informacioni ta duan atë Fakultet të kenë ide të reja dhe mbi të gjitha të profilizohen. Do duhet që këta studentë të profilizohen dhe të kenë baza të sigurta me qëllim që tregu i punës t’i pranojë menjëherë. Pra Inteligjenca Artificiale të jep mundësi të pafundme, sikurse ka edhe disa rreziqe. Sektorët që po transformohen, duhet thënë se ka disa pjesë ku duhet të tregojmë kujdes. “Përmes një teknologjie, arrin të kryesh krime”, ishte edhe ky mesazhi i Papës. Pra janë sektorë ku teknologjia duhet të tregojë kujdes, pra duhet edhe një rregullore se si duhet të katapultohet inteligjenca që të mos kthehet në vështirësi që të rinjtë të gjejnë punë. Pra duhet të profilizohen edhe më shumë që të shkojnë në treguan e duhur të punës”, u shpreh ajo.
