Pas konfirmimit të fejesës së tyre, gjithnjë e më shumë detaje po dalin në dritë për dasmën e shumëpërfolur të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktorit britanik Callum Turner. Sipas mediave ndërkombëtare, çifti po planifikon të kurorëzojë dashurinë e tij gjatë vitit 2026, në një ceremoni që pritet të tërheqë vëmendjen e showbizit global.
Në një intervistë për Harper’s Bazaar UK, Dua Lipa konfirmoi për herë të parë fejesën me Turner, duke u shprehur se po përjeton një nga periudhat më të lumtura të jetës së saj. Edhe pse çifti vazhdon ta mbajë larg syrit të publikut pjesën më të madhe të jetës private, raportimet e fundit sugjerojnë se ata po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të dasmës në Siçili, një destinacion që i ka magjepsur gjatë pushimeve të tyre verore. Sipas të përditshmes britanike “The Times”, Palermo është ndër vendet kryesore që po merret në konsideratë. Po ashtu, në qendër të spekulimeve është edhe Villa Igiea, një prej hoteleve më luksoze të Siçilisë, ku thuhet se çifti mund të akomodojë të ftuarit gjatë festimeve.
Megjithëse në media kanë qarkulluar emra të njohur që mund të jenë pjesë e ceremonisë, burime pranë çiftit bëjnë të ditur se Dua dhe Callum preferojnë një dasmë intime, me rrethin më të ngushtë familjar dhe shoqëror, larg një eventi madhështor me qindra të ftuar. Në listën e personazheve që mund të marrin pjesë përmenden emra të njohur të muzikës dhe modës, si Elton John, Mark Ronson, Charli XCX, anëtaret e BLACKPINK, Rosé dhe Jennie, si edhe stilistët Donatella Versace dhe Simon Porte Jacquemus.
Një tjetër detaj që ka ngjallur interes është fustani i nusërisë. Fansat janë të bindur se Dua Lipa mund të zgjedhë një krijim ekskluziv të Atelier Versace, duke pasur parasysh marrëdhënien e ngushtë që artistja ka prej vitesh me Donatella Versace-n. Ndërkohë, data e saktë e dasmës mbetet ende mister. Disa raportime flasin për fillimin e shtatorit 2026, ndërsa burime të tjera përmendin muajin qershor. Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga çifti. Megjithatë, një gjë duket e sigurt: kur Dua Lipa dhe Callum Turner të thonë “po”, ceremonia e tyre do të jetë ndër ngjarjet më të komentuara dhe më të ndjekura të vitit në arenën ndërkombëtare të showbizit.
