Aktori legjendar i Hollywood-it, Jack Nicholson është tërhequr prej vitesh nga jeta publike, duke ngritur shqetësime mes miqve dhe fansave për mënyrën se si po i kalon vitet e fundit. Ylli i filmit “The Shining”, tashmë 89 vjeç, ka shmangur daljet publike dhe intervistat, ndërsa raportimet sugjerojnë se pjesën më të madhe të kohës e kalon në rezidencën e tij në Beverly Hills.
Me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, mbi 70 filma dhe 12 nominime për çmimin Oscar, Nicholson është një prej figurave më të njohura të kinemasë botërore. Megjithatë, vitet e fundit ai është shfaqur rrallë në publik dhe nuk ka marrë pjesë në projekte të reja filmike. Shpresat për një rikthim në ekran u zbehën edhe pas deklaratave të mikut të tij, aktorit Michael Douglas, i cili la të kuptohej se Nicholson nuk kishte ndërmend të punonte më si aktor. “Ai nuk po punon më. Është mirë. Ka ikur. E di këtë”, u shpreh Douglas, duke lënë të kuptohet se miku i tij e ka mbyllur kapitullin e karrierës në kinema.
Shqetësimi i miqve për izolimin e tij
Edhe pse Nicholson nuk e ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga jeta publike, mungesa e tij e gjatë ka nxitur spekulime dhe shqetësime. Sipas raportimeve të mediave të huaja, miqtë e tij të hershëm druhen se aktori po izolohet gjithnjë e më shumë. “Ai e ka bërë të qartë se shtëpia e tij është kështjella e tij. Por njerëzit thjesht do të donin që ai të dilte nga shtëpia dhe të vinte për t’i përshëndetur, ose të paktën t’i siguronte se është mirë”, citohet të ketë thënë një burim për RadarOnline. Disa raportime kanë ngritur pikëpyetje edhe për gjendjen e tij shëndetësore, por nuk ka konfirmime publike që të vërtetojnë pretendimet për probleme të caktuara. Nicholson ka vijuar të shfaqet herë pas here në ndeshjet e basketbollit, veçanërisht në ato të ekipit të tij të preferuar, Los Angeles Lakers.
Një prej daljeve të tij të rralla ishte pjesëmarrja në specialen e 50-vjetorit të emisionit “Saturday Night Live”, në vitin 2025, një moment që tërhoqi vëmendjen e fansave. Jeta e Jack Nicholson ka qenë po aq e veçantë sa karriera e tij. Aktori u rrit nga gjyshërit e tij, të cilët për vite me radhë e lanë të besonte se nëna e tij biologjike ishte motra e tij. E vërteta u zbulua në vitin 1974, kur revista Time publikoi një artikull për familjen e tij. Nëna e tij, June Frances Nicholson, e kishte lindur kur ishte vetëm 18 vjeçe, ndërsa prindërit e saj morën përsipër rritjen e fëmijës, duke e mbajtur të fshehtë lidhjen e vërtetë familjare.
Në vitin 2010, Nicholson luajti në filmin “How Do You Know”, i cili mbetet ndër projektet e tij të fundit në kinema. Një rikthim i mundshëm në vitin 2017, në një ribërje të komedisë gjermane “Toni Erdmann”, nuk u realizua, pasi aktori u tërhoq nga projekti. Pavarësisht mungesës së tij nga ekrani, emri i Nicholson vazhdon të mbetet i lidhur me disa prej roleve më të paharrueshme të Hollywood-it. Ndërsa miqtë shpresojnë ta shohin më shpesh mes tyre, aktori duket se ka zgjedhur të qëndrojë larg vëmendjes publike, duke ruajtur privatësinë në vitet e fundit të jetës së tij. Një nga fotografitë e fundit të publikuara të tij u shpërnda në janar të vitit 2025 nga vajza e tij, Lorraine Nicholson, e cila ndau një imazh ku shfaqej duke përqafuar të atin. Fotografia u prit me interes të madh nga fansat, të cilët prej kohësh kanë pasur pak mundësi ta shohin aktorin legjendar.
