Marko Beceki rikthehet te fitorja dhe zgjeron avantazhin ndaj Horge Martin në renditjen e përgjithshme, falë suksesit në Çmimin e Madh të Italisë në Muxhelo. Për liderin e kampionatit kjo është fitorja e katërt e sezonit dhe e para pas tri garave ku rezultatet e tij kishin qenë disi më pak bindëse.
Aprilia festoi një rezultat historik me dopietë, pasi Horge Martin përfundoi në vendin e dytë në pistën e Muxhelos, një cirkuit që në të kaluarën nuk i kishte sjellë shumë kënaqësi skuadrës italiane. Për Becekin kjo ishte fitorja e parë në pistën toskane dhe e dhjeta në klasin mbretëror të MotoGP-së. Françesco Banjaja u ngjit në shkallën e tretë të podiumit. Piloti i Dukatit kryesoi garën gjatë gjysmës së parë të saj, por më pas u detyrua t’ua lëshonte vendin dy pilotëve të Aprilias. Në xhirot e fundit ai arriti të mbrojë podiumin nga sulmet e forta të Ai Ogurës, i cili përfundoi i katërti me Aprilian e ekipit amerikan “Trackhouse”.
Top-5 u plotësua nga Fabio Di Xhianantonio i Dukatit VR46, autor i një gare të fortë rikuperimi pas një starti jo shumë të suksesshëm. Pedro Akosta (Red Bull KTM) e mbylli garën në vendin e gjashtë, përpara Mark Markezit, i cili u rikthye në pistë pas dëmtimit që pësoi tre javë më parë në Lë Mansh. Raul Fernandez, fitues i garës Sprint të së shtunës, doli shpejt jashtë luftës për fitore. Spanjolli i Aprilia “Trackhouse” tentoi të parakalonte Becekin që në frenimin e parë pas nisjes, por gaboi trajektoren dhe rrëshqiti në fund të renditjes. Megjithatë, ai zhvilloi një rikuperim të mirë dhe e mbylli garën në vendin e tetë.
Enea Bastianini (KTM Tech3) u rrëzua në xhiron e 12-të, duke humbur mundësinë për një rezultat të rëndësishëm. Fermin Aldeguer dhe Diogo Moreira plotësuan dhjetëshen e parë. Për pilotin debutues brazilian Moreira, ky ishte i njëjti rezultat që kishte arritur edhe në garën Sprint të së shtunës.

