Marco Palestra po përjeton momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij. Mbrojtësi i ri italian, protagonist i një sezoni të shkëlqyer me Cagliarin, është kthyer në një nga emrat më të përfolur të futbollit italian, duke fituar njëkohësisht besimin e Kombëtares dhe vëmendjen e klubeve të mëdha europiane.
I grumbulluar nga trajneri Silvio Baldini në Italinë e re që po kërkon të ringrihet pas zhgënjimeve të fundit, Palestra konsiderohet tashmë një nga pikat e forta të grupit, pavarësisht se numëron vetëm dy paraqitje me fanellën axurre. Sezoni i tij me Cagliarin ka qenë mbresëlënës: mbrojtësi më i mirë i Serie A, lojtari më i shpejtë i kampionatit dhe lider mes mbrojtësve të pesë kampionateve kryesore europiane për driblimet e realizuara.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në merkato. Interi po e ndjek me interes dhe ka paraqitur ofertën e parë ndaj Atalantës, e cila zotëron kartonin e lojtarit. Megjithatë, klubi bergamask vazhdon të kërkojë një shifër më të lartë për talentin 20-vjeçar.
Nga një djalosh që në akademi konsiderohej ndër më të ngadaltët e skuadrës, Palestra është shndërruar në një nga futbollistët më premtues të brezit të tij. Rrugëtimi i nisur te të rinjtë e Atalantës dhe i konsoliduar me ekipin U-23 në Serie C kulmoi këtë sezon me shpërthimin në elitën e futbollit italian.
Tashmë, ndërsa zërat e merkatos shtohen çdo ditë, Palestra mbetet i fokusuar te Kombëtarja. Debutimin me Italinë e cilëson si një nga momentet më të bukura të jetës, ndërsa synimi i tij i menjëhershëm është të ndihmojë skuadrën në ndeshjet e ardhshme dhe të vazhdojë rritjen e tij si një nga talentet më të rëndësishëm të futbollit italian.
