Presidenti amerikan Donald Trump planifikon që të marrë pjesë në Samitin e NATO-s. Samiti është planifikuar të mbahet në Ankara më 7-8 korrik, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
I pyetur nëse Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Ankara gjatë një interviste me Bloomberg TV gjatë një vizite në Singapor të hënën, Fidan u përgjigj: “Për aq sa dimë, po, ai planifikon të marrë pjesë”.
Gjithashtu theksoi se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj aleancës pavarësisht retorikës politike. Fidan shtoi se nuk ka shenja se Uashingtoni synon të veprojë sipas paralajmërimeve se mund të tërhiqet nga NATO.
“SHBA-të po i bëjnë vazhdimisht presion aleatëve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre”, deklaroi ai, duke shtuar: “Evropianët e kanë marrë mesazhin dhe tashmë kanë ndërmarrë hapa për të rritur buxhetet e mbrojtjes brenda NATO-s”.
