Një aksident i pazakontë dhe për pak sa nuk u kthye në tragjedi u regjistrua të enjten në Toledo të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara, ku një kamion postar përfundoi i varur mes një daljeje të autostradës dhe një ure të ngritur. Ngjarja ndodhi në Ditën e Falënderimeve, në një kohë kur moti i keq ka përfshirë disa zona të vendit. Pavarësisht pamjes së frikshme të mjetit të rëndë, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Sipas CBS News, ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje dhe arritën ta nxirrnin kamionin nga pozicioni i rrezikshëm, duke e rikthyer në rrugë. Departamenti i Transportit i Ohajos e cilësoi incidentin si një pamje tepër të pazakontë, ndërsa falënderoi ekipet e shpëtimit për ndërhyrjen, pavarësisht festës dhe kushteve të vështira atmosferike.

Moti i keq paralizon udhëtimet në SHBA
Ndërkohë, një sistem i fuqishëm atmosferik ka sjellë reshje intensive, erëra të forta dhe përmbytje në disa shtete të Midwest-it dhe Verilindjes së SHBA-së. Situata është përkeqësuar edhe nga fluksi i lartë i udhëtarëve për festën e Falënderimeve, një prej periudhave më të ngarkuara të vitit. Mbi 80 milionë amerikanë pritej të udhëtonin gjatë kësaj jave.


Sipas të dhënave të FlightAware, të enjten u anuluan 460 fluturime, ndërsa 2,508 të tjera pësuan vonesa në nisje dhe mbërritje. Pasojat e motit të keq u ndjenë edhe në furnizimin me energji elektrike. Mbi 980 mijë banesa mbetën pa energji, kryesisht në Pensilvani, Virxhinia, Merilend dhe Nju Xhersi. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte paralajmëruar për vonesa në transportin ajror gjatë gjithë javës, për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: