Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka goditur sërish në nivelet e larta të zyrtarëve, duke vendosur nën sekuestro preventive një vilë luksoze në pronësi indirekte të Belinda Ballukut, e cila ndodhet në Gjilekë të Dhërmiut.
Në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO) ka pranuar kërkesën e prokurorëve të posaçëm duke bllokuar pasurinë e paluajtshme, e cila dyshohet se është produkt i pastër i korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Balluku, e cila ishte marrë më herët e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, tashmë po hetohet me metoda speciale edhe për dy akuza të tjera të rënda: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas vendimit nr. 412, datë 3.6.2026, pasuria e sekuestruar nga SPAK është një vilë individuale dy-katëshe e Tipit “Begonia” (Vila Nr. F6).
Ajo ka një parcelë të rrethuar prej jo më pak se 300 m², ku brenda saj shtrihet ndërtesa me sipërfaqe 103 m² (kati përdhe 54 m² dhe kati i parë 49 m²), si dhe një verandë prej 34 m² së bashku me vendparkimin privat.
Hetimet e SPAK kanë zbardhur të gjithë mekanizmin e abuzimit me detyrën në kohën kur Belinda Balluku mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të shoqërisë shtetërore “Albcontrol” sh.a.
Sipas prokurorisë, Balluku në bashkëpunim me Evis Berberin (në atë kohë Shef i Sektorit të Prokurimeve) dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit (shtetasit S.P., E.N. dhe A.M.), kanë paracaktuar fituesin e tenderit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol”, me fond limit 88,651,633 lekë, plus një shtesë kontrate prej 14,161,814 lekë pa TVSH.
Pasi kanë shkelur ligjin e prokurimit publik për të shpallur fitues operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k, zyrtarët i kanë ofruar kompanisë edhe një parapagim të menjëhershëm prej 50% të vlerës së kontratës. Në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe marrë si ryshfet vilën F6 në Dhërmi me vlerë 145,000 euro, e cila po ndërtohej pikërisht nga kjo kompani.
Për të fshehur gjurmët dhe origjinën kriminale të pronës, janë përdorur kontrata fiktive dhe emra personash të tretë.
“Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.” – thotë prokuroria.
Në vitin 2018 u nënshkrua një kontratë porosie fiktive sikur vila po blihej nga shtetasi I.T. nga pronari i “Eurocol”, shtetasi P.C. Më vonë, në vitet 2022 dhe 2024, skema e pastrimit të parave vijoi duke hartuar kontrata të rreme qiraje (kontrata dore) ku u përfshi edhe vartësja e saj, J.B., me qëllim që të arsyetohej përdorimi i vilës nga zyrtarja e lartë.
Përmes ndjekjes me metoda speciale dhe grumbullimit të provave digjitale, SPAK ka rrëzuar alibinë e qirasë, duke provuar se pronarja reale në hije është Belinda Balluku.
Hetimet e prokurorisë po vijojnë me intensitet të plotë për dokumentimin e fakteve të reja dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë të madhe korruptive.
