Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka refuzuar ftesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për konsultim lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Në një letër drejtuar kreut të shtetit, Blushi argumenton se një konsultim i tillë formal është i papërshtatshëm në një kohë kur vendi po përballet me protesta të studentëve dhe gjimnazistëve, si dhe me reagime për dhunën policore ndaj protestuesve.

Ai akuzon institucionin e Presidentit se nuk ka përmbushur rolin e tij kushtetues përballë asaj që e cilëson dhunë shtetërore, arrestime arbitrare dhe represion ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për të protestuar.

Sipas Blushit, Shqipëria po kalon një krizë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore, ndaj Presidenti duhet të ndërmarrë qëndrime dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, në vend që të përqendrohet vetëm në konsultime formale.

Në letrën e tij, përfaqësuesi i Partisë së Lirisë thekson se Begaj duhet të përmbushë detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa lejuar që kjo procedurë të përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama, të cilët ai i konsideron përgjegjësit kryesorë të krizës.

Për këto arsye, Tedi Blushi njofton se nuk do të marrë pjesë në konsultimin e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj.

Pjesë nga letra e Tedi Blushit:

“U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë.

Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës.

Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.”, thuhet në letër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb