Në historinë politike të vendeve post-komuniste, revolucionet demokratike nuk kanë lindur zakonisht nga ngjarje të mëdha, por nga akumulimi gradual i pakënaqësive që, në një moment të caktuar, gjejnë një simbol, një kauzë dhe një gjuhë të përbashkët mobilizuese. Revolucioni i Trëndafilave në Gjeorgji, Revolucioni Portokalli në Ukrainë apo Revolucioni i Tulipanëve në Kirgistan nuk ishin thjesht protesta kundër një qeverie apo kundër një procesi zgjedhor. Ato ishin manifestime të një krize të thellë legjitimiteti, ku qytetarët arritën në përfundimin se mekanizmat tradicionalë të përfaqësimit politik nuk ishin më të aftë të prodhonin ndryshim.

Në këtë perspektivë, protestat e fundit për Zvërnecin dhe simbolika që po merr flamengoja përbëjnë një fenomen që meriton vëmendje jo vetëm si ngjarje e ditës, por si tregues i mundshëm i një transformimi më të thellë në kulturën politike shqiptare. Më shumë sesa vetë protesta, interes paraqet mënyra se si një kauzë lokale dhe mjedisore po tenton të shndërrohet në një simbol të pakënaqësive më të gjera ndaj qeverisjes, institucioneve dhe modelit të zhvillimit të vendit.

Paradoksi shqiptar qëndron pikërisht këtu. Shqipëria është ndoshta një nga vendet e Europës Lindore që ka përjetuar tranzicionin më të gjatë politik dhe institucional. Që nga rënia e regjimit komunist në fillim të viteve ’90, vendi ka kaluar nëpër kriza të shumta politike, zgjedhje të kontestuara, akuza të vazhdueshme për korrupsion, përplasje të forta mes institucioneve, protesta masive dhe periudha të gjata mosbesimi ndaj klasës politike. Megjithatë, ndryshe nga shumë vende të tjera post-komuniste, Shqipëria nuk ka njohur asnjë revolucion demokratik të mirëfilltë që të prodhonte një rikonfigurim të thellë të sistemit politik.

Kjo nuk ka ndodhur për mungesë arsyesh. Përkundrazi, në shumë raste kushtet objektive kanë qenë të ngjashme me ato që kanë prodhuar revolucione demokratike në vende të tjera. Megjithatë, pakënaqësia sociale në Shqipëri ka ndjekur zakonisht dy rrugë: ose është absorbuar nga partitë politike tradicionale, ose është shkarkuar përmes emigracionit. Për dekada me radhë, largimi nga vendi ka funksionuar si një mekanizëm që ka zbutur presionin social dhe ka penguar krijimin e lëvizjeve të gjera qytetare me potencial transformues.

Një tjetër element që ka penguar lindjen e një revolucioni demokratik ka qenë polarizimi ekstrem politik. Në shumicën e rasteve, protestat publike janë perceptuar menjëherë si instrumente të njërës palë kundër tjetrës. Kjo ka bërë që kauzat qytetare të humbasin autonominë e tyre dhe të identifikohen me konfliktin e zakonshëm mes qeverisë dhe opozitës. Si pasojë, pakënaqësia ndaj sistemit është shndërruar në mbështetje për një alternativë politike ekzistuese, por jo në kërkesë për transformim më të gjerë institucional.

Protestat e Zvërnecit paraqesin një element të ri pikërisht sepse, të paktën në fazën e tyre fillestare, nuk lindën nga një konflikt klasik partiak. Ato u ndërtuan rreth një kauze konkrete që lidhet me mbrojtjen e territorit, mjedisit dhe interesit publik. Kjo u ka dhënë atyre një legjitimitet që shkon përtej ndarjeve tradicionale politike. Kur një protestë e tillë fillon të artikulojë edhe kërkesa më të gjera për llogaridhënie, transparencë dhe ndryshim politik, ajo fiton potencialin për t’u kthyer në diçka më shumë sesa një mobilizim lokal.

Në këtë kontekst duhet parë edhe simbolika e flamengos. Në historinë e lëvizjeve politike, simbolet kanë një rëndësi që shpesh tejkalon vetë ngjarjet. Ato krijojnë identitet kolektiv, prodhojnë narrativë dhe i japin një fytyrë të njohshme një pakënaqësie të shpërndarë. Trëndafili në Gjeorgji dhe tulipani në Kirgistan nuk fituan rëndësi për shkak të vlerës së tyre si objekte, por sepse arritën të mishëronin një kërkesë të përbashkët për ndryshim. Në mënyrë të ngjashme, flamengoja po fiton gradualisht statusin e një simboli që nuk lidhet më vetëm me biodiversitetin e Nartës, por me një debat më të gjerë mbi mënyrën se si merren vendimet publike, si menaxhohen pasuritë kombëtare dhe sa dëgjohet zëri i qytetarëve.

Megjithatë, do të ishte e nxituar të flitej për një revolucion në kuptimin klasik të fjalës. Revolucionet demokratike nuk krijohen nga simbolet; ato krijohen nga aftësia e një lëvizjeje për të ndërtuar një konsensus të gjerë shoqëror dhe për ta shndërruar pakënaqësinë e fragmentuar në projekt politik. Historia tregon se simboli është zakonisht rezultati i një procesi më të thellë dhe jo shkaku i tij.

Ajo që e bën situatën aktuale veçanërisht interesante është fakti se për herë të parë pas shumë vitesh po shfaqet mundësia e krijimit të një simboli që nuk buron nga partitë politike, por nga vetë shoqëria civile. Kjo është një risi e rëndësishme në historinë e tranzicionit shqiptar. Për më shumë se tri dekada, pothuajse çdo mobilizim publik është interpretuar përmes lenteve të konfliktit mes mazhorancës dhe opozitës. Flamingoja, të paktën deri tani, duket se po i shpëton këtij modeli.

Nëse kjo simbolikë do të mbetet e lidhur vetëm me një protestë mjedisore apo do të shndërrohet në një metaforë më të gjerë të pakënaqësisë qytetare, kjo mbetet për t’u parë. Por fakti që një simbol i tillë po lind në një shoqëri të lodhur nga tranzicioni, emigracioni, polarizimi dhe mosbesimi institucional nuk është një zhvillim pa rëndësi.

Në fund, pyetja më interesante nuk është nëse Shqipëria po shkon drejt një “Revolucioni të Flamengove”. Pyetja më e rëndësishme është nëse shoqëria shqiptare po fillon të kërkojë një mënyrë të re për të artikuluar pakënaqësitë e saj jashtë kufijve tradicionalë partiakë. Nëse përgjigjja është po, atëherë flamengoja mund të mos mbetet thjesht simbol i një lagune të mbrojtur. Ajo mund të hyjë në historinë politike të tranzicionit shqiptar si metafora e parë e një vetëdijeje të re qytetare, e aftë të sfidojë jo vetëm një vendim apo një qeveri, por vetë logjikën mbi të cilën është ndërtuar politika shqiptare gjatë 35 viteve të fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb