Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë, me mbështetjen e forcave “Shqiponja” dhe Policisë Bashkiake, ka nisur që në orët e para të mëngjesit një aksion në plazhet e Ksamilit për largimin e moleve, platformave pluskuese dhe mjeteve lundruese nga hapësirat bregdetare.

Sipas informacioneve paraprake, pas përfundimit të largimit të tyre do të krijohet një perimetër sigurie përgjatë vijës bregdetare, me qëllim parandalimin e hyrjes së mjeteve lundruese në gjiret detare të frekuentuara nga pushuesit.

Aksioni vjen në zbatim të vendimit të Këshillit Bashkiak të Sarandës për reduktimin e korridoreve detare në Ksamil, një masë që synon rritjen e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik.

Burime nga terreni bëjnë me dije se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast rezistence nga pronarët e mjeteve lundruese apo strukturave të vendosura në bregdet.

Ndërkohë, operacioni vijon dhe pritet të përfshijë të gjitha zonat e përcaktuara nga autoritetet lokale.

Autoritetet kanë theksuar se masat synojnë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe menaxhimin më efikas të hapësirave publike në plazhet e Ksamilit gjatë sezonit veror.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb