Një përplasje fizike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku protagonistë janë bërë një qytetar dhe një efektiv i Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Raportohet se situata ka degraduar shpejt në dhunë, ku personi në fjalë dhe polici janë kapur me duar dhe kanë goditur njëri-tjetrin në mes të rrugës. Fatmirësisht, nga ky konflikt fizik nuk raportohet për persona të lënduar rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë për të shoqëruar personin e përfshirë në sherr dhe për të qetësuar situatën.
Deri më tani mbeten ende të paqarta shkaqet që çuan në këtë konflikt banal mes qytetarit dhe uniformës blu, nëse ka pasur si pikënisje një gjobë apo mosbindje ndaj urdhrit të policit. Grupi hetimor ka sekuestruar dhe po verifikon me imtësi pamjet e kamerave të sigurisë përreth zonës për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të nxjerrë përgjegjësit.
