Analisti nga Kosova, Shkëlzen Gashi, i ftuar në News24, ka komentuar valën e protestave masive që po zhvillohen në Tiranë, në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gashi u shpreh se ky reagim qytetar është një kthesë e rëndësishme, duke bërë edhe një krahasim me kulturën e protestës në Kosovë.

Analisti theksoi se më në fund në Tiranë po protestohet masivisht, dhe jo vetëm aty, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë e në diasporë sa i takon gjendjes në Shqipëri. Ai pranoi se ajo që e ka shqetësuar gjithnjë ka qenë pikërisht pyetja se pse në Kosovë ka shumë më shumë protesta dhe pse në Shqipëri ka pasur aq pak.

Gatë analizës së tij, Gashi hoqi një paralele të fortë mes situatës politike në Shqipëri dhe asaj në Serbi, duke vënë në dukje ngjashmëritë mes dy drejtuesve të vendeve.

“Protesta në Tiranë i ngjason asaj në Beograd kundër Vuçiçit. Rama dhe Vuçiç janë dy politikanë që kanë pushtet thuajse absolut në vendet e tyre. Po ashtu, në Tiranë, ashtu si në Beograd, askush nuk i di organizatorët kryesorë të protestave,” u shpreh Gashi.

Ai shtoi se të dy përpiqen me çdo kusht të gjejnë se kush fshihet pas organizimit për t’i ftuar në bisedime, por strategjia e qytetarëve në shesh është e prerë: “Vuçiç dhe Rama po ashtu kërkojnë të dinë organizatorët dhe të takojnë ata, ama protestuesit refuzojnë kategorikisht takimet”.

Një tjetër pikë ku analisti u ndal me kritikë të ashpër ishte retorika publike që përdor kreu i qeverisë shqiptare përballë revoltës dhe kritikave, duke e konsideruar atë të papranueshme.

“Më shqetëson gjuha e Ramës, bullizimi që bën në fjalorin e tij. Kjo është skandaloze dhe nuk imagjinohet dot që të ndodhë në Kosovë,” tha Gashi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb