Kryeministri Edi Rama këmbëngul se resorti në Zvërnec është një bekim për Shqipërinë. Në një intervistë për Al Jazeera, duke komentuar protestat që prej nëntë ditësh po zhvillohen para Kryeministrisë dhe Edi Ramës i kërkohet dorëheqja nga mijëra qytetarë çdo mbrëmje para zyrës së tij, ai thotë se “kurrë nuk ka qenë në pikëpyetje nëse ky investim do ecte ose jo përpara”.

“Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje nëse ky projekt do të ecte përpara apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh e ca, flet vetë”, tha Rama.

Akuzave se e shiti Shqipërinë, Rama iu përgjigjet se nuk bëhet fjalë për një tokë publike që qeveria po e jep apo po e shet, por për një pronë private. Ai thekson gjithashtu se qeveria nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt. Rama shton se projekti është totalisht një investim privat nga dy vëllezërit arabë Al-Khayyat, që arrin vlerën e 4 mld dollarëve.

“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, tha Rama për Al Jazeera.

Ndërsa në një intervistë tjetër për Reuters, kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë që “nuk do të anulohet projekti” dhe sipas tij “një pjesë e resortit mund të hapet për publikun para fundit të kësaj dekade”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb