Kur oborrtarët shkuan dhe i bën me dije se populli ishte i pakënaqur, se mizerja ishte ulur këmbëkryq dhe Parisi po vdiste për bukë, mbretëresha e Francës, Maria Antonetë, bashkëshortja e mbretit Luigji 16, të velur nga pushteti pa tepri, luksi i shfrenuar, festat dhe orgjitë, iu përgjigj sovranit të tij me po të njëjtin poshtërim dhe përbuzje me të cilën ata kishin injoruar dhe nevojat e tyre: ‘Nëse nuk kanë bukë, le të hanë biskota’.
Përfundimi. Populli u ngrit në revoltë. Franca përjetoi atë që tashmë njihet si Revolucioni Francez. Shumë koka u prenë. Por koka e parë që u vendos në gijotinë ishte ajo e vetë mbretit Luigji 16.
Të njëjtin fat që kishin pasur më herët dhe do të kishin më vonë edhe shumë arrogantë të ngjashëm në këtë farë lloji e sorollopi, që sunduan me dhunë dhe përbuzje ndaj popullit të tyre.
Ashtu siç do të ishte edhe vetë fundi i fashizmit në Itali.
Musolini fillimisht një socialist i përbetuar.
I cili më pas u kthye në një fashist që drejtoi me dhunë Italinë, kombin e tij që desh e çoi drejt një katastrofe të ngjashme me fundin e Gjermanisë naziste.
Aq sa në kulmin e pushtetit neveria e Musolinit, ndaj njerëzve që i qëndronin pranë, apo edhe popullit të tij, arriti deri aty sa t’i shikonte ata si disa lebrozë, nga të cilët kishte krupë t’u jepte edhe dorën.
Ky në fakt që duket se është edhe vetë fundi i Edi Ramës.
Njeriu që qeveris prej 13 vitesh Shqipërinë, që tashmë as nuk rreket ta fshehë me neverinë që ka ndaj qytetarit dhe popullit të tij.
Popull të cilin e tall, e përbuz, dhe e trajton si një arushë cirku, me të cilin duket se luan dhe argëtohet deri aty sa të kënaqë shijet e tij perverse.
Një i ashtëquajtur socialist, i cili pasi moli çdo të majtë që kishte pranë, që i hyri në punë në kapjen e partisë, sot jo vetëm që ka bërë armiq shumicën e socialistëve të respektuar të kësaj partie, të cilët edhe këta i tallte sa herë ja lypte nevoja ose i dilnin kundër, por që tashmë se ka për turp të tallë dhe të përqeshë edhe qytetarët e tij.
Një sindromë e ngjashme kjo me Musolinin në kulmin e pushtetit të tij. Apo edhe me të tjerë batakçinj të cilët pushteti, në mos ishin të sëmurë pas tij, i ktheu në tillë, aq sa të humbisnin dhe logjikën dhe popullin e tyre ta trajtonin si një pavion të çmendurish, me të cilët argëtohet nga mëngjesi në mbrëmje.
Në fakt Edi Rama nuk është se u bë i tillë sot.
Edi Rama ishte i tillë, dhe këtë e dimë të gjithë.
Ai thjesht ka përforcuar sjelljet e tij sociopatike.
Ishte i tillë që kur ndryshoi ligjin për legalizimet dhe shkatërroi me qindra shtëpi.
Dhe askush nuk e kuptoi gjëmën që po i trokiste në derë, pa e provuar vetë në lëkurën e tij.
Askush nuk duhet ta harrojë Transballkaniken, Astirin, Bregun e Lumit, Shkozën etj.
Ku në emër të zhvillimit, për të cilin askush nuk është kundër, nxorri nga banesat mijëra qytetarë, pa u dhënë asnjë qindarkë.
Por vetëm sepse nevoja ia lypte të lëvronte sa më shpejt dhe sa më shumë tendera për rrugë, të cilat më pas do të rezultonin të grabitura nga shpura e tij e afërt.
Kujtojmë këtu rastin Balluku, apo të shumë ministrave të tij, të cilët sot ndodhen përpara drejtësisë, ndërsa janë dënuar, apo janë në fazë gjykimi.
Balluku të cilës nga dita në ditë po i zbulohen vilat e fshehura në emër të personave të tretë, ndërsa shqiptarët që u përzunë nga Rama me gaz lotsjellës, nuk dihet sot se në cilin cep të globit janë, duke e filluar edhe njëherë jetën nga zero, pa çati mbi kokë.
I tillë ishte Rama dhe kur shembi Teatrin.
Edhe ky një vendim arrogant i frymëzuar prej tij. Shembje e cila u bë në orët e para të mëngjesit, pavarësisht protestave të shoqërisë civile dhe artistëve.
Të cilët edhe këta i përçau, duke i blerë apo kërcënuar disa prej tyre, me kush e di se çfarë.
Po kështu Rama u soll edhe me qytetarët, të cilët pamundësia i kishte bërë të mos shlyenin faturën e dritave.
Disa prej të cilëve varën veten nëpër komisariate.
Dhe askush nuk pa asnjë fije mëshirë nga kryeministri.
I njëjti i cili sot del dhe i mbron me pathos, ministrat e tij, sa herë kapen me vila dhe llogari bankare të fituara nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin. Të njëjtët ministra që vodhën paratë e djegësve të mbeturinave, në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
Po kështu në emër të ligjit Rama arrestoi qytetarë të thjeshtë edhe për një shtesë pa leje, ndërkohë që në Tiranë e gjetkë la të ngriheshin kulla me kate pa leje, dhe nuk u pa të ndëshkonte oligarkët e tij.
Të njëjtën sjellje të cilën Rama pati dhe me zonat strategjike.
Ku sërish në emër të zhvillimit, shpiku investitorë strategjikë, sahanlëpirës të oborrit të tij, kriminelë dhe midis tyre gjoja artistë, të cilët nga pa brekë që i zuri nata në mëngjes u bënë miliarderë.
Bëma, dhe jo të vetme, pa harruar skemën e kanabizimit të vendit, inxhinierinë e grabitjes së votave, inkriminimin e policisë, blerjen e medias, grabitjen e pasurive publike, e deri te marrja zvarrë e qytetarëve që dalin të mbrojnë pronën e tyre apo pasuri natyrore, e kështu me radhë të cilët sot kanë ngritur në kulm atë që është pakënaqësia më e madhe popullore në këto 35 vite.
Një magmë e pandalshme, të cilën Rama nuk e ndal dot.
Kjo, sepse nuk e kupton dot se sa i sëmurë pas pushtetit është.
Pushteti me tepri, që sot i ka veshur sytë dhe trurin me arrogancë.
Ndaj poshtë dritares së tij, të gjithë kërkojnë sot dorëheqjen e ‘Të sëmurit të Kryeministrisë’.
Pakënaqësi e cila buron nga fakti që vendi e ka humbur me kohë paqen sociale.
Qytetarët vuajnë për përditshmërinë.
Ata e kanë të vështirë të plotësojnë nevojat bazike. Të shkollojnë si duhet fëmijët e tyre. Pikërisht ata fëmijë të cilët Rama i gënjeu në vitin 2018, në protestën e studentëve, por që sot nuk i gënjen dot më, kur janë bërë prindër dhe e ndjejnë në xhepin e tyre se sa e vështirë është të përballosh jetesën në Shqipëri.
Në mos pjesa më dërrmuese e atyre studentëve që dolën dhe protestuan në vitin 2018, tashmë janë larguar nga Shqipëria. Të gënjyer nga i njëjti Ramë, që me tallje dhe përbuzje, edhe sot i drejtohet pakënaqësisë popullore me fjalët e Maria Antonetë: ‘Nëse nuk keni bukë të hani, atëherë hani biskota.’
Një tallje dhe përbuzje që vetëm ai duhet ta ketë pasur në kastën e atyre që kanë drejtuar këtë vend, që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe deri më sot.
