Prej dy ditësh në rrjetet sociale dhe në disa media po qarkullojnë lajme se Shtetet e Bashkuara mund t’i kenë hequr statusin “non grata” kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar as nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe as nga vetë Partia Demokratike.

I pyetur sot nga gazetarët në hyrje të Kuvendit nëse informacioni është i vërtetë, Berisha zgjodhi të mos japë asnjë koment. Ai i përshëndeti gazetarët me buzëqeshje dhe hyri në sallën e Kuvendit pa iu përgjigjur pyetjes.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte atmosfera brenda sallës. Sapo hyri, Berisha u prit me duartrokitje dhe ovacione nga deputetët e opozitës. Duke buzëqeshur, ai u shpreh shkurt “Unë erdha! U kry!”, ndërsa salla shpërtheu sërish në duartrokitje.

Megjithëse nuk përbën një konfirmim zyrtar, reagimi i Berishës dhe entuziazmi i deputetëve demokratë janë interpretuar nga shumë vëzhgues si një sinjal se brenda PD-së lajmi për heqjen e mundshme të “non grata”-s konsiderohet tashmë një fakt i kryer.

Megjithatë, deri në një reagim zyrtar nga autoritetet amerikane ose një deklaratë e qartë nga vetë Berisha, statusi i tij mbetet i pakonfirmuar publikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb