Në sheshin “Skënderbej” po mbahet protesta e 12-të qytetare kundër qeverisë. Në një intervistë për mikrofonin e “News24”, një qytetare ka deklaruar se u bashkua me protestën për disa arsye siç janë pensioni i ulët, apo dhe ngjarja e rëndë ku protestuesi në Vlorë u dhunua në prani të policisë.

Në deklaratën e saj, qytetarja apeloi bashkëmoshatarët e saj të bashkohen me të rinjtë dhe të mos kenë frikë.

“Jam bashkuar me të rinjtë sepse me 10 mijë lekë pension nuk ka kush më mban. Mua më nxiti protesta në Zvërnec, kur ai person u tërhoq zvarrë mu duk sikur isha unë, secilit iu duk se ishte ai.

Kur ky person i thotë policisë ndihmojeni, policia i kërkoi të riut të shkonte në komisariat. Jam nga Kuçova, atje nuk ka mbetur këmbë njeriu, më vjen të qaj. Dikur ka pasur fabrika të përpunimit të naftës, termocentrali, fabrika e demontimit, e aviacionit, tani nuk ka mbetur asgjë.

Nuk duhet të keni frikë, po nuk dolëm ne nuk i nxjerrim dot fëmijët në dritë”, deklaroi qytetarja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb