NATO ka bërë të ditur se do të nisë një përshtatje graduale të pranisë së saj ushtarake në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë deklaroi se stabiliteti në Kosovë është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit. Për këtë arsye, Aleanca ka vendosur të rishikojë strukturën dhe madhësinë e forcave të saj në terren.
“Gjatë viteve të fundit, situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm. Si pasojë, në janar NATO pezulloi dislokimin e forcave rezervë për KFOR-in, duke i dhënë fund një periudhe mbi dyvjeçare rotacioni të vazhdueshëm. Duke qenë se stabiliteti mbetet i qëndrueshëm, Aleanca do të ndryshojë pozicionimin dhe gradualisht do të rregullojë madhësinë e forcës gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratën zyrtare
Sipas NATO-s, ndryshimet nuk nënkuptojnë tërheqje nga Kosova, por përshtatje me realitetin e ri të sigurisë. Misioni paqeruajtës i KFOR-it do të vazhdojë të mbetet në vend dhe të garantojë stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes.
Në deklaratë kujtohen gjithashtu tensionet e vitit 2023 në veri të Kosovës, ku dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues lokalë. Pas atyre ngjarjeve, NATO kishte rritur praninë e saj ushtarake në mënyrë të ndjeshme.
Aleanca thekson se situata aktuale është më e qëndrueshme, por mbetet e gatshme të reagojë ndaj çdo zhvillimi që mund të cenojë sigurinë në vend.
